Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me tërheqjen me 25% të pranisë së policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri të vendit. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti deklaron se kjo vjen pasi vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që mbajtën para dy ditësh drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Sipas tij, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojnë ca praninë e policisë së Kosovës. Kurti nënvizon se sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë pasi janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Ai falënderon policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë. “Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, deklaron Kurti. Ai shprehet se po zbatojnë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratislavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim. Kryeministri vë në dukje se konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, vijon Kurti, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior. “Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira antiqeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike. Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë”, përfundon reagimin kryeministri Kurti.
Tërheqja , Kurti: Po zbatojmë marrëveshjen e Bratislavës
RELATED ARTICLES