Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë vitit 2023. Në terma vjetorë, ky forcim regjistroi një vlerë mesatare prej 8.5 % gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12.1 %. Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko tha se, forcimi i kursit të këmbimit ka ardhur nga përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare, shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë, rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente, si dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte. “Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit i cili ka avantazhet e tij. Në mungesë të regjimi të lirë të kursit të këmbimit do të vepronim ndryshe me instrumentin e politikës monetare. Do të kishim norma shumë më të larta interesi dhe kosto më të larta të shtuara si për bizneset ashtu dhe për qytetarët. Do të kishim norma më të larta interesi të kredisë do të kishim probleme me performancën në kthimin e kredive që ndikojnë në stabilitetin financiar e të tjera me radhë në efekt zinxhir. Pra situata duhet parë në kompleks. Banka e Shqipërisë e shikon efektin e kursit të lirë të këmbimit valutor dhe vetë kursin e këmbimit në kompleks dhe në konteksin makro. Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar me ligj dhe me rregullore kur duhet të ndërhyjë për kursin e këmbimit. Siç e kemi theksuar disa herë, ne ndërhyjmë për efekt të rezervës valutore, për efekt të çrregullimeve dhe për efekt të objektivave tanë ligjorë, siç është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar”, tha Sejko. Sipas tij, kursi i këmbimit monitorohet me kujdes dhe BSH e ndjek jo vetëm në bazë ditore por në çdo moment. Ka një monitorim dhe analizë të kursit të këmbimit nga departamentet kryesore të Bankës së Shqipërisë dhe së fundmi dhe direkt nga drejtimi i lartë i Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, ai tha se luhatjet e kursit të këmbimit sidomos pas muajit korrik janë bërë më të forta, duke sinjalizuar mundësinë e ekizstencës së çrregullimeve në tregun valutor. Në rast se këto luhatje do të vazhdojnë, Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë ndërhyrje të përkohshme për stabilizimin e tregut ose rritje të blerjeve të planifikuara të euros për nevojat e rezervës valutore. Sipas tij, deri tani gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë ka blerë 170 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, kryesisht nëpërmjet ankandeve të planifikuara për rritjen e rezervës. Sejko theksoi se, “Banka e Shqipërisë operon brenda kuadrit të saj ligjor dhe rregullator dhe ajo shikon situatën makro brenda objektivave të saj kryesorë që është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar”. “Sigurisht, – vijoi ai, – që duam që biznesi, jo vetëm ai eksportues, por të gjithë bizneset të kenë një performance sa më të mirë në funksion të rritjes ekonomike në funksion të mirëqenies së qytetarëve, por dhe në funksion të stabilitetit financiar dhe monetar të vendit, por fatkeqësisht ne nuk disponojmë instrumente të caktuara për të stimuluar ose ndihmuar industri të ndryshme. Për shembull, për ta thjeshtëzuar, ne nuk mund të përcaktojmë një kurs fiks këmbimi për një industri dhe një kurs të lirë këmbimi për një pjesë tjetër të industrive ose të popullatës.” “Regjimi i kursit të këmbimit është i njëjtë për të gjithë ekonominë dhe për të gjithë qytetarët. Situata është shumë komplekse dhe ne do të përpiqemi që brenda kuadrit tonë ligjor dhe rregullator të bëjmë maksimumin e mundshëm për të ruajtur balancat makroekonomike dhe për të siguruar një vijimësi të rritjes së vazhdueshme ekonomike sikundër e theksuam dhe e kemi parashikuar”, deklaroi Guvernatori. atsh
Forcimi i lekut, Sejko: Kur duhet të ndërhyjë në kursin e këmbimit
RELATED ARTICLES