Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVA​MINT: Shpifjet në dëm të sigurisë kombëtare do të denoncohen

​MINT: Shpifjet në dëm të sigurisë kombëtare do të denoncohen

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i ka quajtur shpifje raportimet për parregullsi në blerjen e rezervave shtetërore. Në një reagim të ministrisë thuhet se ky institucion do të “ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve tek organet e drejtësisë”. Në reagim thuhet MINT njofton opinionin publik se të gjitha procedurat në lidhje me furnizimin me mallra për rezervë shtetërore janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi. “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sqaron opinionin publik se, thashethemet e përdorura në audio-incizimet e transmetuara janë tendencioze dhe të pavërteta, duke aluduar për keqpërdorim të Rezervës Shtetërore dhe duke i shërbyer një kauze politike me qëllim të dëmtimit të procesit më të ndjeshëm për mbrojtje dhe siguri shtetërore dhe më qëllim denigrimin e figurës së Ministres Rozeta Hajdari, uljen e reputacionit dhe imazhin publik të saj”, thuhet në reagim. Tutje, thuhet se në vitin 2021, MINT ka shpallur tri herë procedurat e prokurimit për të blerë një sasi të Rezervës Shtetërore, nga të cilat një procedurë e prokurimit ka përfunduar me sukses, ndërsa dy procedura të prokurimit kanë dështuar, sipas tyre, për shkak të mos ofertimit nga operatorët ekonomik. “Në tremujorin e parë të vitit 2022, furnizimi me mallra të Rezervës Shtetërore, bazike për jetën e qytetarëve, është trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare, në kohën kur filloi lufta në Ukrainë dhe kur gjendja e furnizimit të Rezervës Shtetërore në vendin tonë gjendej në sasi më të vogël, të nevojshme për jetesën dhe mbrojtjen e popullsisë, në rast të ndonjë krize për furnizim”, thuhet në reagim. MINT ka shkruar se “siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike”. Në reagim thuhet se kontratat e rezervës shtetërore janë të klasifikuara në nivelin sekret, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. “Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve tek organet e Drejtësisë dhe njëherit ofron bashkëpunimin e plotë me të gjitha institucionet kompetente për çështjen në fjalë”, përfundon reagimi i MINT. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments