Në Urën e Bahçallëkut, në hyrje të qytetit të Shkodrës, me vendosjen e fugave metalike, pas shtrimit të asfaltit, ka përfunduar rehabilitimi i dyshemesë. Ky proces u realizua brenda afatit të përcaktuar dhe punimet u kryen gjatë natës duke shmangur bllokimet e qarkullimit të automjeteve. Punimet për rehabilitimin e Urës vijojnë ndërkohë edhe me trotuaret anësore dhe me riparimin e lyerjen e parmakëve. Qytetarët shkodranë shprehen se Ura e Bahçallëkut pas punimeve që janë kryer është shumë më e mirë dhe brenda parametrave të duhur. Punimet po vazhdojnë me anën estetike ku do të riparohen të gjithë parmakët e urës dhe do të lyhen dhe riparohen edhe parmakët e trotuarëve për këmbësorët. E inauguruar më 4 shkurt të vitit 1914, Ura e Bahçallëkut, lidh qytetin e Shkodrës me pjesën tjetër të tij, që shtrihet përtej rrugëtimit të Drinit e të Kirit për në Bunë. Njëkohësisht mundëson komunikimin e qytetit me pjesën tjetër vendit, duke shërbyer si arterie e qenësishme komunikimi të një prej qendrave më të rëndësishme historike, ekonomike dhe kulturore. Ajo është ndërtuar në vitin 1914 me projektues austriak, konstruksioni i së cilës ka ardhur deri në ditët tona. ATSH
Ura e Bahçallëkut, përfundon riparimi i fugave dhe shtresës asfaltike
RELATED ARTICLES