Tetëqind projekte për rritjen e prodhimit në serra janë mbështetur nga qeveria, ku përmes modeleve biznesi të standardizuara investimi kap vlerën e mbi 200 milionë lekëve. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se, ka mbështetur me skemën e vitit 2022, sektorin e serrave me rreth 200 milionë lekë, për ndërtimin e serrave të reja, apo për uljen e kostove të prodhimit. Përmes subvencionimit në vitin 2022, më shumë se 800 fermerë aplikues, kultivuan me kosto më të ulëta më shumë se 900 ha serra me perime. Ndërsa është rritur me 2100 ha sipërfaqja e prodhimit në serra përmes subvencioneve shtetërore dhe programit IPARD. Sipas AZHBR-së, kjo mbështetje e vazhdueshme është përkrahur nga ana e fermerëve të cilët e kanë vlerësuar masivisht skemën e mbështetjes me një numër shumë të lartë aplikimesh edhe për masën e vitit 2023, me 911 aplikues. Përqendrimi më i lartë rajonal i serrave është në qarkun e Beratit, ku AZHBR ka financuar 240 projekte, ndjekur nga qarku i Fierit me 179 projekte të financuara. Më tej në Durrës, Shkodër dhe Tiranë ku kultivohen sipërfaqe të konsiderueshme me domate dhe kastravec në serra. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit kanë qenë të financuara për serra me ngrohje teknike dhe qendrore për zëvendësimin e plastmasit, ndërtimin e serrave të reja me ngrohje diellore si dhe prodhimin e bostanorëve në tunele. Sipas statistikave të bujqësisë, këtë vit është rritur në 42 % nga 30 % një vit më parë, totali i prodhimit të perimeve për eksport që vjen nga serrat. Dy prej produkteve të cilat kanë njohur rritjen më të rëndësishme të eksporteve në vitin e kaluar janë pikërisht dy produkte emblematike të serrave domatet (15.5 %) dhe kastraveci (5.5 %) Sipas AZHBR-së, rritja e konsiderueshme e prodhimit në serra ka përafruar prodhimin me kërkesat e tregut, si dhe ka shtuar nivelin e eksporteve. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural informon se ky sektor ka dhënë impakt në rritjen e ekonomisë familjare për zonat rurale, duke plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe ka rritur konsiderueshëm eksportet. “Serrat janë shndërruar tashmë në një prodhues dhe aktor rajonal të rëndësishëm në prodhimin e perimeve jashtë sezonit, në më shumë se 2100 ha serra, të cilat përbëjnë tashmë motorin tonë të rëndësishëm të zhvillimit të sektorit. Vitin e shkuar bujqësia eksportoi me shumë se 500 milionë dollarë, teksa bujqësia shqiptare ka objektiv, eksportet 1 miliard dollarë në vitin 2030”, bën të ditur AZHBR. atsh