Këshilli i Ministrave ngarkoi sot Fondin Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor për realizimin e projektit të zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, përfshirë stadiumin. Sipas këtij vendimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit caktohet si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për zbatimin e projektit. Në funksion të zbatimit të projektit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë të gjitha procedurat sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre e të projektit përkatës, duke përdorur fonde nga programet aktuale të zhvillimit. Po ashtu, FSHZH do të paraqesë kërkesat për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe do të ndjekë të gjitha veprimet e procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin e territorit. Vendimi parashikon lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit në funksion të zhvillimit të projektit mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Bashkisë Durrës. atsh