Përmeti, një prej qyteteve të traditës dhe gastronomisë unike, me amvisat duararta, si çdo vit pret e përcjell mijëra vizitorë vendas dhe të huaj. Ajo që e bën këtë zonë të lakmuar janë ushqimet dhe gatimet e veçanta, ku glikotë dhe prodhimet e tjera artizanale mbajnë vendin e parë. Edhe pse punishtet e prodhimit të glikove në Përmet po hasin mungesën e fuqisë punëtore, produktet janë tepër të kërkuara. Amvisat tregojnë karakteristikat e reçelrave dhe glikove, ndërsa në mungesë të të rinjve, në punishtet e Përmetit janë të punësuar pensioniste. “Ne përpunojmë glikotë, të gjitha llojet. Kemi edhe petët që bëhen me dorë dhe trahanaja, siç bëhej më përpara”, thotë një amvisë. “Kam zgjedhur të punoj sepse pensioni im është i vogël dhe nuk ja dal dot”, shprehet një pensioniste. Të shumta janë familjet të cilat këtë traditë po e kthejnë në një markë, duke sjellë një gamë të gjerë me glikotë e shalqirit, fikut, portokallit e të çdo fruti të stinës që gatuhet me dashuri prej amvisave përmetare. atsh