Maximilian Lambertz, gjuhëtari, profesori dhe albanologu austriak. Lamberc i kushtoi vëmendje të veçantë dialekteve arbëreshe e ndarjes dialektore të shqipes, folklorit dhe kulturës popullore shqiptare. Ai la rreth 60 dorëshkrime, në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë shqiptare etj. Pas vdekjes së tij janë botuar disa prej këtyre dorëshkrimeve, ku botimi më i ri është realizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) dhe mban titullin “Studime arbëreshe”. Autori bëri një punë pionieri si në studimet për të folmet e arbëreshëve në Itali, ashtu edhe për vëzhgimet dialektologjike në gjuhën shqipe në përgjithësi. Përveç trajtimit dhe shpjegimit mjeshtëror të dukurive gjuhësore, libri sjell edhe një lëndë të pasur gjuhësore, të panjohur më parë. Deri tani studimet e Lambertz-it për të folmet arbëreshe kishin mbetur fort pak të njohura e të shfrytëzuara nga studiuesit tanë, po edhe nga studiuesit arbëreshë. Duke u përkthyer shqip të përmbledhura në një vëllim, ato mbushin një zbrazëti të ndjeshme në bibliotekën e dialektologjisë shqiptare. Vlerat e shumanshme të studimeve arbëreshe të M. Lambertz-it janë vënë në dukje në raste të ndryshme nga njohësi më i thelluar i tyre, prof. Eqrem Çabej. Më në fund, këto studime, të përftuara nga puna në terren e autorit, vijnë në gjuhën shqipe në sajë të përkthimit mjeshtëror të studiuesit Genc Lafe. atsh