Atletja Luiza Gega është kualifikuar për në Lojërat Olimpike Paris 2024. Sot në Kraljevo të Serbisë, ku po zhvillohet Kampionati Ballkanik i Atletikes me pjesëmarrjen e 20 shteteve, Luiza Gega ka arritur të triumfojë në disiplinën 3000m/p me kohën 9.21.53. Medalje e artë dhe super kohë e arritur pavarësisht se gara u zhvillua në mëngjes. Koha e arritur prej saj është normë kualifikuese për në Lojërat Olimpike Paris 2024. Atletika i ka filluar kualifikimet nga data 1 Korrik 2023, teksa norma kualifikuese është 9.23.00. Me këtë kohë Luiza është kualifikuar për në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe bëhet sportistja e parë shqiptare që ka marrë biletën kualifikuese për Paris 2024. Rezultatin e Luiza Gegës e përshëndeti sot edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. “Kolonele Luiza Gega, sportistja e parë shqiptare, që ka fituar të drejtën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike të Parisit 2024”, shkroi Peleshi në rrjetet sociale. “Urime talentes sonë që shënoi rezultat olimpik në Kampionatin Ballkanik të Atletikës, që u zhvillua në Serbi!”, theksoi ministri Peleshi. atsh