Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula raportoi sot në Kuvend për veprimtarinë gjatë vitit 2022.
Kryetarja Sula bëri të ditur se gjatë vitit 2022 janë 210 kandidatë apo zyrtarë të verifikuar, nga të cilët 6 figurojnë në dokumentet e ish-Sigurimit.
“Ka pasur 65 kërkesa institucionale, 555 aplikime individuale, 9 kërkesa për bashkëpunëtorë, 295 kërkesa për qëllime rehabilitimi e dëmshpërblimi dhe për pajisjen me vërtetim për periudhën e internimit apo burgimit; 122 kërkesa studimore e mediatike, me 463 dosje të vëna në dispozicion, me rreth 60.771 faqe. Janë deklasifikuar 74.579 fletë dokumente arkivore, dixhitalizuar 1019 dosje fizike dhe 175 dosje të mikrofilmuara, me total dokumente arkivore dhe mikrofilma në 155.844 fletë të digjitalizuara”, bëri të ditur ajo.
Gjatë vitit 2022, sipas Sulës, u intensifikua bashkëpunimi me institucionet qeveritare për qartësimin e fatit të të zhdukurve në komunizëm.
Po ashtu, ajo bëri të ditur se është intensifikuar puna për deklasifikimin e dosjeve, duke përjashtuar ato që cenojnë sigurinë kombëtare dhe po vijon puna me digjitalizimin e tyre.
“Janë deklasifikuar gjithsej rreth 75.000 dokumente arkivore. Me ndryshimet ligjore, pritet një pesëfishim i dokumenteve të deklasifikuara”, deklaroi ajo.
Sipas Sulës, Shqipëria është tashmë pjesë e Rrjetit Evropian të Institucioneve të ish-Policive Sekrete dhe vijon të jetë e pranishme si anëtare vëzhguese e ENRS. atsh