Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është goditur nga deputetët e PDK-së në parlamentin e Kosovës teksa po fliste për situatën në veri të vendit. Dy deputetët e PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe Hajdar Beqa kanë hedhur fillimisht ujë ndaj Kurtit dhe Bislimit dhe më pas përplasja ka agravuar në dhunë fizike mes deputetëve të LVV-së dhe PDK-së. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit. Edhe jashtë sallës të Kuvendit të Kosovës është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Po ashtu, edhe te shkallët që çojnë në sallën e kuvendit, është pozicionuar sigurimi i kuvendit, të cilët nuk po lejojnë lëvizjen pa përcjellje. Përplasja mes deputetëve ndodhi teksa Kryeministri Kurti po fliste për marrëveshjen e nënshkruar në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. “Marrëveshja që u bë nuk është marrëveshje për normalizim, është marrëveshje për de-eskalim në të cilën ne natyrisht nuk heqim dorë nga zbatimi i ligjit, nga sundimi i ligjit, nga luftimi i krimit të korrupsionit e kontrabandës. Por në të njëjtën kohë edhe e kemi shfaqur ndjeshmërinë për rëndësinë e paqes së qëndrueshme, të stabilitetit afatgjatë të sigurisë për të gjithë, e cila nënkupton që të kemi ndjeshmëri që në këto dy javët e fundit nuk ka pasur as protesta të dhunshme, as incidente, as sulme në veri të Kosovës”, ka deklaruar Kurti. Në nisje të seancës, deputetët e PDK-së kanë vendosur në foltoren e Kuvendit dhe në vendin ku ulet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pankarta në gjuhën serbe ku shkruhej “Zdravo”, që do të thotë “përshëndetje”. Veprimi i PDK-së vjen pas publikimit të përgjimeve të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me nënkryetarin e Listës Srpska, Slavko Simiç. atsh
Përplasje verbale mes deputetëve të LVV dhe PDK
RELATED ARTICLES