Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, gjatë takimit që zhvilloi me fermerë të fshatit Hoxhaj në Poliçan, u ndal në serrat me perime të Jasharit, për të ndjekur nga afër kontrollin e pesticideve tek bimët, në zbatim të strategjisë për sigurinë ushqimore nga ferma në tavolinë. Në këtë inspektim, ministrja Krifca shoqërohej edhe nga drejtoresha e Drejtorisë së Mbrojtjes së Bimëve, Valdede Buça, teksa inspektorët e AKU-së dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Bimëve kryenin marrjen e mostrave sipas standardeve të përcaktuara, tek prodhimi në serra që ishte e mbjellë me kulturën e specit. “Po intensifikojmë punën tonë në drejtim të zbatimit të praktikave më të mira europiane, në drejtim të kontrollit tek bimët, prodhimi bujqësor, që garantojnë standarde të larta të sigurisë ushqimore në vend”, tha Krifca. Ministrja informoi se, ky proces konsiston në kontrollin e përputhshmërisë së preparateve që tregtojnë operatorët e produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe pesticideve, me listat e preparateve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. “Bashkë me agronomët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, jemi duke mbikqyrur e udhëzuar fermerët në fermat e serrave. Po shohim zbatimin e praktikave të mira të prodhimit edhe në plotësimin e regjistrit të përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve, apo fletores së fermerit”, tha ministrja. Krifca e vuri theksin në rëndësinë e prodhimit bujqësor sipas standardeve të sigurisë ushqimore. “Është e rëndësishme të prodhojmë duke zbatuar standardet e sigurisë ushqimore, çka na lejon një gjurmim efikas të zinxhirit ushqimor. Kështu garantojmë standarde të larta për konsumatorët dhe garanci të eksporteve shqiptare që fillojnë pikërisht tek trajtimi i tokës dhe i bimëve me synim rritjen e cilësisë, vlerën e prodhimit bujqësor shqiptar dhe të ardhurat e fermerëve tanë”, deklaroi Krifca. atsh
Kontrolli i pesticideve tek bimët sipas standardeve të BE
RELATED ARTICLES