TKOB çon baletin kontemporan “Humus”, në Durrësin antik

0
5

“Tingujt e Verës” këtë radhë do të shkojnë në Durrësin antik, me baletin kontemporan “Humus”, interpretuar nga trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me koreografi të Julind Dervishit. Një himn i përkthyer në silueta, që e bërtasin fort ekzistencën e natyrës dhe dashurinë për tokën. Baleti do të rrëfejë historinë se kujt i përkasim, kë duhet të mbrojmë dhe ku do të shkojmë. “Humus” do të vijë mbrëmjen e 13 korrikut, në Pallatin e Kulturës Durrës, për të njohur me profesionalizmin e TKOB-së, çdo shqiptar e të huaj që zgjedh të pushojë në këtë qytet. Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku. Profesionalizmi i Orkestrës Simfonike dhe solistëve të TKOB-së, këtë sezon veror do të udhëtojnë përgjatë Shqipërisë, duke dhuruar meloditë më të freskëta, për vendasit e turistët e huaj që këtë vit janë të shumtë. atsh