Ndërsa Bedri Tila ngriti një kapak druri në madhësinë e një gome kamioni nga një furrë e zhytur në tokë, shtëllungat e tymit dhe aroma e qengjit të gatuar mbushën ajrin e freskët të mëngjesit, shkruan Naomi Tomky për faqen e njohur turistike travelandleisure. ”Po qëndronim në një fermë në një fshat në Shqipërinë Qendrore, gjysmë ore me makinë nga kryeqyteti, Tirana. Unë dhe Tila nuk shkëmbyem asnjë fjalë, por komunikonim me kodin e adhuruesve kureshtarë të ushqimit, buzëqeshje, lëvizje duarsh dhe shenja. Me shumë pantomimë, ai më tha se kishte shtatë vjet që gatuante me këtë teknikë. Me ”mish në pus” siç i thonë këtu, ai po piqte një qengj të tërë. Tila preu me mjeshtëri një copë të vogël mishi dhe ma zgjati për ta provuar. Tila punon në AgriTourism Huqi, një fermë me një restorant, një kamping, një kopsht botanik, një hapësirë eventesh, madje edhe një kopsht të vogël zoologjik. Shtatë kabina druri me pamje moderne, me orendi të thjeshta, por të rehatshme qëndrojnë në një kodër, duke u dhënë mysafirëve një pamje të gjelbërimit përreth dhe rezervuarit poshtë. Udhëtimi i shkurtër nga Tirana e bën këtë destinacion një udhëtim të lehtë ditor për njerëzit që duan të hanë ushqime tradicionale, ndoshta të marrin pjesë në një dasmë apo ditëlindje dhe të mbështesin një industri agroturizmi që ka filluar të lulëzojë. Kuzhina shqiptare ka lindur nga bujaria natyrore e Mesdheut. Shqipëria ndodhet vetëm 50 milje detare nga Italia, përtej detit Adriatik. Ajo ndan gatime dhe përbërës me fqinjët e saj bregdetarë – Malin e Zi në veri dhe Greqinë në jug – si dhe Kosovën pa dalje në det dhe Maqedoninë e Veriut në lindje. Më e rëndësishmja, Shqipëria u sundua nga Perandoria Osmane për më shumë se 500 vjet, deri në pavarësinë e Shqipërisë në 1912. Kjo trashëgimi mund të gjendet në të gjithë vendin, nga minaret që zbukurojnë horizontin e Tiranës deri te qoftet e njohura me erëza. I sunduar nga një regjim komunist brutalisht represiv nga viti 1944 deri në 1990, vendi është tani një demokraci – dhe një nga destinacionet e udhëtimit me rritje më të shpejtë në Evropë. Kryeministri aktual, Edi Rama, po bën hapa përpara për të mirëpritur turistët e huaj duke ftuar markat e hoteleve për të hapur bizneset e tyre dhe duke mbrojtur fort edhe pranimin në Bashkimin Evropian. Turizmi ndërkombëtar është rritur teksa vizitorët mbërrijnë për të shijuar klimën e qetë të vendit, gati 300 milje detare të bregdetit të Adriatikut. atsh