Nis “Vjosa ime”, një event dy ditor në Tepelenë, i cili do të përfshijë zhanre të ndryshme; art, turizëm, muzikë, letërsi, teatër, pikturë, muzikë, panair, trashëgimi, eksplorim etj. Gjatë 48 orëve të titulluara “Vjosa Ime” do të zhvillohen aktivitete, ku do të ndërthuren koncert me muzikë klasike, mbrëmje poetike, ekspozitë me libra, shfaqje teatri, panair me veshje të ndryshme popullore të krahinës, veshje të punuara me dorë, punime druri, metali, e më tej prodhime kulinarie tradicionale, bimësi medicinale etj. Gjatë këtyre aktiviteteve do të organizohen edhe ture me një guidë profesionale në pika kryesore që përfshijnë site të trashëgimisë kulturore si Ujëvara e Peshturës, Uji ftohtë, në grykëderdhje të Drinos, ku lidhet me Vjosën, etj. Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e Bashkisë Tepelenë, do të realizohet edhe një koncert i pianistit e multiinstrumentistit Robert Bisha, i cili do të shoqërohet nga një bandë frymore. Koncerti “Home Neverland” do të mbahet në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, mbrëmjen e së dielës. Ndërsa në pedonalen buzë Vjosës do të zhvillohet “Këndi i librit”, një kënd i veçantë kushtuar poetëve dhe autorëve tepelenas si Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa, Lirim Deda, Maliq Lila, Agim Shehu, Izet Cculli, Xhezo Canaj, Islam Kalemi etj, veprat e të cilëve do të ekzpozohen në kuadër të projektit “Vjosa ime”. Shumë nga poezitë e njohura të tyre dhe poezi të tjera do të interpretohen nga aktorët e mirënjohur Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Kristian Koroveshi në një mbrëmje peotike të organizuar me këtë rast. atsh