Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREYellen: Sanksionet amerikane ndaj Kinës jo për avantazh

Yellen: Sanksionet amerikane ndaj Kinës jo për avantazh

SHBA do të vazhdojnë të ndërmarrin “veprime të synuara” për të ruajtur sigurinë e tyre kombëtare, por këto kufizime tregtare nuk përdoren për të “përfituar një avantazh ekonomik” ndaj Kinës, siguroi sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen gjatë vizitës së saj në Pekin. Yellen pranoi se ka “mosmarrëveshje të rëndësishme” midis dy vendeve, por siguroi se diskutimet në Pekin ishin “të drejtpërdrejta, thelbësore dhe produktive”. Pika kryesore e pengesës është te gjysmëpërçuesit, me kufizimet e vendosura muajt e fundit për të ndërprerë furnizimin e firmave kineze me teknologjinë amerikane, përfshirë çipat. Kina, e cila kërkon të bëhet autonome në këtë sektor, beson se këto masa synojnë të pengojnë zhvillimin e saj dhe të ruajnë supremacinë amerikane. “Është e rëndësishme të theksohet se këto veprime janë të motivuara nga konsiderata të thjeshta të sigurisë kombëtare dhe ne nuk po i përdorim ato për të përfituar avantazhe ekonomike”, nënvizoi sekretari amerikan i Thesarit, duke shprehur më vonë “shqetësimet serioze” të Uashingtonit për “praktikat e padrejta tregtare” të Pekinit. Sekretarja e Thesarit tha se bisedimet e saj në Pekin me disa zyrtarë të lartë të qeverisë kineze ndihmuan në avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë mbi “një themel më të fortë”. “Në përgjithësi, unë mendoj se takimet e mia dypalëshe kanë qenë një hap përpara në përpjekjet tona për të vendosur marrëdhëniet SHBA-Kinë mbi një bazë më solide”, tha ajo. “Të dy vendet kanë një detyrim për të menaxhuar këtë marrëdhënie me përgjegjësi dhe të gjejnë një mënyrë për të jetuar së bashku dhe për të ndarë prosperitetin global”, tha Yellen duke nënvizuar rëndësinë “jetike” të kontakteve të nivelit të lartë midis SHBA-së dhe Kinës. “Ne besojmë se bota është mjaft e madhe që dy vendet tona të lulëzojnë”, përfundoi ajo. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments