Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEARSIMKorpusi më i madh i numerizuar i leksikut të shqipes

Korpusi më i madh i numerizuar i leksikut të shqipes

Dr. Besim Kabashi, themelues dhe krijues i “corpora albanensis” më të pasur të deritashëm të shqipes së numerizuar, paraqiti sot në Akademinë e Shkencave së Shqipërisë, në sallën “Aleks Buda” në praninë e akademikëve, gjuhëtarëve dhe dashamirësve të kulturës dhe gjuhës shqipe, një ligjëratë akademike të dedikuar këtij ‘tesaurus”-i të gjuhës sonë. Dr. Besim Kabashi është profesor dhe kërkues shkencor prej 20 vitesh në Universitetin e Erlangen-Nürneberg, ku edhe ka kryer studimet për gjuhësi kompjuterike dhe paralelisht për gjuhësi gjermanike dhe në degën gjuha dhe të folurit. Takimin e drejtoi akad. Valter Memisha, i cili bëri prezantimin e profilit akademik të dr. Besim Kabashit, si dhe kontributet e tij në fushën e korpusit të etiketuar të gjuhës shqipe. Më andej akad. asoc. Gëzim Hoxha përshendeti në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, duke theksuar edhe njëherë gatishmërinë pëer të ndërtuar bashkëpunime institucionale me studiuesit shqiptarë që janë të atashuar pranë qendrave të huaja kërkimore-shkencore. Në ligjëratë u prezantua korpusi më i madh i etiketuar i shqipes, me më shumë se 100 milionë fjalë, si dhe korpuset specifike paralele me të cilat dr. Kabashi ka punuar për thuajse 20 vite. Më tej, dr. Kabashi theksoi rëndësinë e korpusit gjuhësor të shqipes në mbështetjen e kërkimeve gjuhësore bazuar në të dhëna konkrete nga gjuha shqipe, statistika e përfundime që mund të merren vetëm nga korpuset e kësaj natyre. Leksikografia kompjuterike ishte një nënçështje tjetër e ligjëratës, sipas së cilës hartimi i fjalorëve mbështetet në të dhëna empirike të vjela nga korpuset gjuhësore të botuara pas vitit 1972, viti i standardizimit të gjuhës shqipe. Përveç këtyre përdorimeve, korpusi i etiketuar është bazë edhe për ndërtimin e gjithë mjeteve të përpunimit elektronik të gjuhës shqipe. Dr. Kabashi përmendi me nderim bashkëpunimin e frytshëm me prof. Rahmi Memushajn në këtë drejtim, si dhe bashkëpunimin me anëtarin e jashtëm të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, akad. Bardhyl Demiraj për sa i përket hartimit të korpusit të shqipes së vjetër. Sfida për të ndërtuar një korpus të etiketuar të gjuhës shqipe ka filluar më herët, më hartimin e një korpusi gjuhësor nga katedra e gjuhës dhqip në Sant Petersburg të udhëhequr nga nga bashkëpunëtorët e jashtëm të Akademisë së Shkencave së Shkencave prof. Aleksandër Rusakov dhe prof. Maria Morozova. Për t’u shenjuar është dhe hartimi i korpusit të arbërishtes nga anëtarët e jashtëm të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, akad. Matteo Mandalà dhe akad. Francisco Altimari, por korpusi i paraqitur sot është më i madhi në gjuhën shqipe. Ai përmban 100 milionë fjalë të nxjerra nga tekstet nga viti 1972 deri më 2017. Në të njëjtën kohë, korpusi gjuhësor është i përshkruar me informacion të plotë morfosintaksor. Akad. Valter Memishaj bëri përmbledhjen e bashkëbisedimit, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e korpusit gjuhësor të ndërtuar nga dr. Kabashi si dhe ndihmesën që jep ky korpus gjuhësor në neologjizmat e gjuhës shqipe. Nga gjuhëtarët pjesëmarrës ndërvepruan me ligjëruesin Anila Kananaj, Anila Çepani, Kristina Jorgaqi, Aleksandër Rusakov dhe të tjerë, të cilët vlerësuan punën e dr. Besim Kabashit, si dhe bënë disa pyetje rreth funksionimit të korpusit gjuhësor të shqipes dhe mënyrës së aksesimit në të, për qëllime studimore. Në përfundim të bashkëbisedimit Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi vlerësoi punën kërkimore shkencore të dr. Kabashit dhe siguroi që, në kuadër të reformimit të Akademisë së Shkencave dhe të ribashkimit të instituteve të albanologjisë, ASHSH do të institucionalizojë bashkëpunimin me dr. Kabashin dhe të tjerë krijues e administrues të korpuseve të shqipes. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments