Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIKontributi i bujqësisë në PBB u rrit me 0.11 %

Kontributi i bujqësisë në PBB u rrit me 0.11 %

Bujqësia po vijon trendin e rritjes edhe gjatë vitit 2023, në prodhim dhe eksporte duke forcuar pozitat e saj, në kontributin që jep në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto, (PBB). Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se, “bujqësia vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, ka prodhuar, 2.8 miliardë lekë më shumë produkte, me çmimet korente krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2022, duke shënuar shifrën me vlerën më të lartë, që prej vitit 2014”. Bujqësia, theksoi ministrja, prodhon më shumë jo vetëm, sesa një vit më parë, por edhe në 3-mujorin e parë ka realizuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit. “Analiza e kontributit në normën reale të rritjes tregon se bujqësia në 3-mujorin e parë të vitit 2023 ka arritur nivelin më të lartë të kontributit në rritjen reale të GDP-së që prej periudhës së COVID-it me 0.11 % rritje”, tha Krifca. Sipas saj, në këtë 3-mujor ne kemi pasur nivelin më të lartë të rritjes krahasuar me 3-mujorin paraardhës prej vitit 2020. Shifrat tha ministrja, tregojnë se sektori është në punë dhe se performon shumë mirë krahasimisht, në kohën kur ishte në pushtet opozita dhe trendi i rritjes po vijon i qendrueshëm. “Mund t`i referohem eksporteve bujqësore që Guvernatori i BSH-së tha, në tërësi eksportet ishin rritur me 46 %, ndërkohë jemi dëshmitarë të rritjes së eksporteve në bujqësi. Nëse e krahasojmë me 2013 kur eksportonim prodhime bujqësore diku tek 100 milionë euro. Ne e mbyllëm vitin 2022 me 500 milionë euro eksporte bujqësore dhe ndërkohë vijojmë rritjen edhe gjatë vitit 2023, ku kemi kapur shifrën 15.3 % rritje në vlerë për periudhën janar deri në maj dhe 11.3 % më shumë në sasi, çka flet për një rritje të prodhimit, të vlerës së produkteve tona dhe cilësisë më të lartë”, u shpreh Krifca. Sipas saj, eksportet bujqësore po synojnë tregje gjithnjë e më të sofistikuara, duke qenë se eksportet e prodhime bujqësore tashmë shkojnë në 80 vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. Ministrja tha se, “në fakt një shembull më konkret i performancës të këtyre eksporteve ka qenë kultura e ullirit”. “Gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti, eksportet e vajit të ullirit u rritën në sasi me 2.600 tonë ose rreth 38 herë më shumë në sasi dhe 26.7 herë më shumë në vlerë, krahasuar me një vit më përpara. Ndërkohë që 80 % e këtyre eksporteve, pra e vajit të ullirit të prodhuar në Shqipëri ka shkuar në tregun e Italisë”, bëri të ditur Krifca. Ministrja tha se, “këto janë shifrat, këto janë faktet që flasin për një sektor, i cili ka përballuar presionet e shkaktuara nga lufta në Ukrainë, nga COVID-i. Fermerët janë në punë, po prodhojnë dhe po përmirësojnë prodhimin e tyre, dhe po përmirësojnë aksesin e tyre në tregjet e Evropës”. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments