“Lova Fest” titullohet aktiviteti që do të zhvillohet në plazhin e Livadhit nga 7-10 korrik, i cili do të ndërthurë turizmin tradicional me atë aktiv, me lojëra në tokë e në det, për çdo moshë. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet social videon promovuese të këtij aktiviteti. “Me verën që nxehet e festivalet që vazhdojnë siç është “Lova Fest”, me plot aktivitete duke nisur nga 7 korriku në plazhin e Livadhit”, shkruan Kumbaro. “Lova Fest” vjen për të tretin vit radhazi me atmosferë të mbushur me surpriza. “Lova Fest” nuk është thjesht një festival muzike, por është një festë e sportit dhe aktiviteteve të tjera, të cilat bashkojnë ata që e duan adrenalinën dhe eksplorimin. Kësisoj, pjesëmarrësit në këtë festival do të kenë mundësi që të marrin pjesë në veprimtari sportive si: Scuba diving, monstair tour, lojëra popullore, crossfit, offroad tour, mountain bike, kayak, hiking, paragliding, crossfid, stand up paddle, sup tour, yoga, banana ride dhe shumë të tjera. Festivali çelet të premten me notat muzikore të grupit të njohur “Offchestra”, për t’i lënë radhën të shtunën dhe të dielën, grupeve, DJ dhe muzikantëve të tjerë të njohur. Pjesëmarrësit në “Lova Fest” do të asistohen përgjatë katër ditëve nga një staf vullnetarësh, të cilët me pasion dhe vullnet do të përpiqen të jenë në gatishmëri të plotë për t’i dhënë mundësi çdo personi të marr pjesë në aktivitetet e përgatitura. atsh