Këshilli i Ministrave përcaktoi sot kriteret dhe rregullat për përzgjedhjen, kontraktimin dhe shpërblimin e përkthyesve zyrtarë, si dhe të mënyrës së kontrollit të shërbimit të kryer nga përkthyesit zyrtarë. Sipas vendimit, organet kontraktuese përzgjedhin përkthyes zyrtarë nga regjistri elektronik. Kur përkthyesi zyrtar caktohet nga organi procedues, Gjykata Kushtetuese ose Ministria e Drejtësisë për përkthimet, që kryhen në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, zbatohen rregullat e përcaktuara në këtë vendim. Në çdo rast tjetër, procedurat e përzgjedhjes së përkthyesve do të bëhen sipas rregullave të parashikuara në ligjin e prokurimit publik, në bazë të kritereve që përcakton ky vendim. Po ashtu vendimi parashikon që përzgjedhja e përkthyesit zyrtar nga regjistri elektronik duhet të garantojë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Në vendim përcaktohen po ashtu edhe rregullat e veçanta për përkthimin e legjislacionit të BE-së. “Ministria përgjegjëse për bashkërendimin dhe ndjekjen e ecurisë së procesit të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me negociatorët, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore, përkatësisht sipas fushës së tyre të veprimtarisë, përcakton kalendarin vjetor të acquis të Bashkimit Evropian, objekt përkthimi, me qëllim përgatitjen e versionit shqip të acquis të Bashkimit Evropian dhe të legjislacionit shqiptar në njërën nga gjuhët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ia përcjell atë Ministrisë së Drejtësisë, jo më vonë se data 1 nëntor, për përkthimet që kryhen në vitin pasardhës”, thuhet në vendim. Pas kryerjes së përkthimit zyrtar, organi kontraktues bën vlerësimin e shërbimit të dhënë nga përkthyesi zyrtar, sipas formularit të vlerësimit, i cili mund të aksesohet nga regjistri elektronik dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. atsh
Përcaktohen kriteret dhe rregullat për përzgjedhjen e përkthyesve zyrtarë
RELATED ARTICLES