Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën të të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 3 %. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp tha se, “Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe mbajtjen e inflacionit në kontroll”. Sipas tij, edhe në aspektin e treguesve makroekonomik, parashikimi i BSH-së, faktorizon shëndetin e mirë financiar të sektorit privat dhe atij bankar të ekonomisë shqiptare, perspektivën pozitive të tregut të punës, përmirësimin e besimit të familjeve dhe bizneseve, si dhe praninë e një ambienti financiar ende akomodues. “Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00 %; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00 %; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00 %”, u shpreh Sejko. Guvernatori deklaroi se, presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këto rrethana, BSH do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit, përfshi edhe normalizimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare. Sejko garantoi se, në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasojave të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar. atsh
Norma bazë e interesit për lekun mbetet në nivelin 3%
RELATED ARTICLES