UEFA ka hedhur sot shortin e fazës paraeliminatore të Futsal Champions League 2023/24, ku do të marrë pjesë edhe kampionia në fuqi e Shqipërisë, Tirana Futsal. Në këtë fazë do të marrin pjesë 32 skuadra europiane të ndara në 8 grupe me katër ekipe secila. Tirana Futsal është e shortuar në Grupin H së bashku me KMF Radnik Bijeljina (Bosnjë-Hercegovinë), Cefn Druids (Uells) dhe Sparta Belfast (Irlanda e Veriut).Ndeshjet e turit paraeliminator do të luhen në datat 22-27 gusht dhe në turin tjetër kualifikohen 9 ekip, e më konkretisht 8 skuadrat e renditura në vendet e para dhe vendi i dytë më i mirë nga të gjitha grupet. Ndërkaq, kalendari me ndeshjet dhe datat e sakta do të përcaktohen në ditët në vazhdim nga UEFA. Duke parë traditën e mirë dhe eksperiencën e madhe me turnetë ndërkombëtare, UEFA ka vendosur t’ia besojë Federatës Shqiptare të Futbollit pritjen dhe organizimin e ndeshjeve të Grupit H, ku bën pjesë edhe Tirana Futsal, që do të zhvillohen në pallatin e sportit “Feti Borova” në kryeqytet. Në fakt, ky është i treti edicioni radhazi që FSHF mirëpret ndeshjet e grupit paraeliminator të Futsal Champions League ku merr edhe kampionia e Shqipërisë. Një tjetër event i rëndësishëm që i besohet FSHF-së nga qeveria e futbollit europian, ndërkohë që kujtojmë se vitin e kaluar FSHF ishte partnere në organizimin e finales së parë historike të UEFA Conference League. atsh