Cili duhet të jetë kontributi ynë për një të ardhme më të qëndrueshme? Kjo pyetje do të shtrohet në edicionin e 11-të të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë (KAF2023), i cili mbrëmë shënoi hapjen zyrtare në hapësirat e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës, ku ishte i pranishëm edhe kryekomunari i Prishtinës, Përparim Rama, gjithashtu arkitekt urbanist, i vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Tema e këtij viti është “Certain Uncertainties”, teksa ekspozita “Cities Connection Project” është një nga aktivitetet e para të edicionit të sivjetshëm. Festivali i arkitektëve, planifikuesve e dizenjuesve, premton një javë plot aktivitete, programi i cili është publikuar i plotë nga “Kosovo Architecture Festival”. Pjesë e ngjarjeve do të jenë edhe hulumtues të përzgjedhur për të udhëhequr ligjërata e punëtori, që do të mbahen në hapësirat e qendrës kulturore historike, Kino ARMATA. Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit të Kosovës është një nga mbështetësit kryesorë të KAF2023.atsh