Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi duke u ndalur tek detajet teknike të vendimit të qeverisë për për studentët e mjekësisë dhe detyrimin për të shërbyer në vend shpjegoi sot sesi do të funksionojë skema e punësimit të detyrueshëm për studentët e Universitetit të Mjekësisë. Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Kushi tha se “studentët e vitit të parë , apo më saktë kandidatët për studentë, përpara regjistrimit, ata që shpallen fitues, përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me UMT me MAS dhe MSHMS për t’u angazhuar që do të qëndrojnë 5 vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet tona shëndetësore dhe diplomën do ta tërheqë pas përmbushjes së këtij detyrimi”. “Ndërkohë që për studentët që janë aktualisht në sistem, nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, përsëri në fillim të këtij viti akademik do të nënshkruhet një marrëveshje ku angazhohen që do të qëndrojnë përkatësisht: studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, dy vite, punësim në Shqipëri. Dhe diploma përsëri tërhiqet pas përmbushjes së këtij detyrimi. Studentëve që janë aktualisht në sistem, do t’iu ofrohet edhe mundësia që nëse nuk janë dakord të nënshkruajnë marrëveshjen, të paguajnë sa ç’është kostoja reale e çdo viti akademik, sigurisht për vitet e mbetura akademike, jo për vitet që tashmë kanë kaluar”, tha Kushi. Pra, vijoi ajo, ky është detyrimi që kanë studentët e vitit të parë, nuk kanë të drejtë zgjedhjeje, por do qëndrojnë për 5 vite. Ministrja Kushi tha se “duhet t’i bëj thirrje të gjithë kandidatëve, të gjithë ata që kanë vendosur të studiojnë për programin Mjekësi e Përgjithshme, duhet ta mendojnë që nëse zgjedhin të studiojnë në universitetin shtetërore, duhet të nënshkruajnë këtë marrëveshje dhe kanë detyrimin pesë vite të qëndrojnë të punësohen në Shqipëri. Ndërsa studentët e tjerë mund të zgjedhin mes dy alternativave”. “Sigurisht që qëllimi ynë është që të gjithë studentët nga viti i parë deri në vitin e gjashtë të qëndrojnë të punojnë, të japin kontribut për vendin, sepse në fund të fundit ky është një detyrim që e kemi për të gjithë, për të plotësuar nevojat që kemi për mjekë. Për sa i takon specializimeve, këto në rast se janë të pambuluara nga MSHMS, pra nëse specializantët e paguajnë vetë kuotën, tarifën, do të konsiderohet periudhë punësimi, ndërsa në rast se është e mbuluar nga MSHMS, sigurisht që ata nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMS përpara specializimit, kështu që kanë detyrimin të përmbushin ato detyrime që tashmë janë në fuqi”. Kushi vuri në dukje se nëse për një vit nuk arrihet të plotësohet detyrimi për punësimin e tyre, atëherë të gjithë studentët, të diplomuarit do të lirohen nga ky detyrim dhe do të tërheqin diplomën e tyre. “Trajtimi i veçantë konsiston në dy drejtime kryesore. Së pari punësim prioritare në institucionet shëndetësore shqiptare dhe së dyti përfshirje në programet sociale të punësimit. Por e theksoj edhe një herë që nëse nuk do të arrihet, gjë që nuk mund të ndodhë, por gjithsesi kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes, nëse për një vit nuk plotësohet detyrimi për një punësim të sigurt, atëherë këta të diplomuar, mjekë do të lirohen nga detyrimi dhe do të marrin menjëherë diplomën”, tha Kushi. Kushi u shpreh se “ky projektligj për shkak të emergjencës do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar sepse në muajin gusht, siç e dini, të gjithë ata maturantë që duan të studiojnë programin Mjekësi e Përgjithshme, kanë provimin shtesë të digjitalizuar, që do të zhvillohet në muajin gusht pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore”. “Ne duhet ta miratojmë brenda korrikut këtë projektligj, në mënyrë që ata përpara se të marrin vendimin dhe përpara se të bëjnë provimin, t’i dinë, t’i njohin të gjitha kushtet që do të kenë për sa i takon këtij programi”, tha Kushi. atsh
Punësim prioritar për studentët e mjekësisë, në të kundërt mund të tërheqin diplomën
RELATED ARTICLES