Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREProtestat në Marsejë si “një miniluftë civile”

Protestat në Marsejë si “një miniluftë civile”

Protestat në të gjithë Francën, të shkaktuara pasi një oficer policie qëlloi për vdekje një 17-vjeçar të martën e kaluar, janë përshkruar si një “miniluftë civile” nga një shtetas britanik që jeton në Marsejë. Gjashtë netë trazirash të dhunshme, të cilat dukej se po lehtësoheshin brenda natës së së hënës, u nxitën nga një reagim kundër shtetit francez që shumë të rinj emigrantë thonë se i diskriminon në mënyrë rutinore. Trazirat kanë prekur disa zona të vendit, duke përfshirë periferinë e Parisit, Nanterr, ku adoleshenti, i identifikuar si Nahel, u vra në qytetin e tij të lindjes. Të hënën, turma njerëzish u mblodhën në të gjitha bashkitë e Francës për të treguar solidaritet. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, 99 bashki janë sulmuar gjatë trazirave, së bashku me ndërtesa të tjera publike. Benjamin Klene, 33 vjeç, nga Oksfordi, i cili jeton pranë stacionit të trenit ”Gare St Charles”, në Marsejë, i ka përshkruar trazirat dhe praninë e policisë si “shqetësuese” dhe “shumë të tensionuara”. Klene po udhëtonte me makinë në shtëpi pasi festoi ditëlindjen e një shoku të premten në mbrëmje, kur vuri re një numër të madh policiësh në rrugë. “Banorëve u njoftuan të mos hidhnin mbeturina gjatë fundjavës nga frika se do të përdoreshin për ndezjen e zjarreve dhe transporti publik në të gjithë qytetin e dytë më të madh të Francës do të ndalonte pas orës 19:00″, tha ai. ”Gjatë rrugës për në shtëpi të enjten në mbrëmje pashë furgona plot me policë të njësisë speciale dhe me pajisje sulmi. Ishte sikur të kishte shpërthyer papritur një miniluftë civile”, tha Klene. ”I gjithë transporti publik është ndalur gjatë natës për katër netë me radhë, dhe na është thënë që të mos i hedhim mbeturinat pasi koshat po përdoren për të ndezur zjarre për të bllokuar rrugët”, shtoi ai. ”Të gjitha restorantet dhe baret përreth vendit tim janë mbyllur këto tri mbrëmjet e fundit për shkak të trazirave. Të premten në mëngjes, policia na tha të largoheshim nga qendra e qytetit dhe të qëndronim me miqtë ose të afërmit nëse ishte e mundur gjatë fundjavës”, tregon Klene. Deri të hënën pasdite, trazirat dukej se po lehtësoheshin dhe Peter Pam, 26 vjeç, nga Kalifornia, i cili ishte me pushime në qendër të Parisit me të dashurën e tij, tha se ata nuk kishin pasur shqetësime të papritura nga trazirat. ”Ne jemi rreth 10 minuta në këmbë larg kullës ‘Eifel’. Unë as nuk e dija që Franca ishte në telashe ose kishte ndonjë trazirë derisa miqtë dhe familja ime nga Amerika më dërguan mesazh dje, duke më pyetur nëse isha mirë”, tha ai. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments