Afrim Bilali ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Kombëtares Shqiptare të Basketbollit. Bilali, detyrën e trajnerit të kombëtares kuqezi të basketbollit e mbante prej 4 vitesh. Ai ka njoftuar largimin e tij nga detyra përmes një komunikimi në rrjetet sociale. “Miq, për arsye të mos plotësimit të kushteve të dakordësuara më herët, jam i detyruar të jap dorhëheqjen nga Ekipi Kombëtar. Ka qëne kënaqësi dhe privilegj të punoja me çdo kënd prej jush që ka qenë pjesë i këtij rrugëtimi me mua”, shkruan në rrjetet sociale, trajneri i ish-kombëtares shqiptare të Basketbollit, Afrim Bilali. Vendimi i Bilalit vjen në një moment delikat. Kombëtarja shqiptare e basketbollit pas dy javësh nis turin e kualifikueseve të paraeliminatoreve të Kampionatit Europian 2025. Ndeshja e parë e Shqipërisë për eliminatoret e Evropianit është më 19 korrik ndaj Rumanisë, kurse e gjithë fushata kualifikuese e djemve mbyllet më 5 gusht me Sllovakinë në fushën tonë. Tashmë pritet reagimi i Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe kreut të saj, Avni Ponari, për emërimin e trajnerit të ri, që do të udhëheqë kuqezinjtë e basketbollit në fushatën e eliminatoreve të Europianit 2025. atsh