Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEARSIM“Aleksandër Moisiu”,merr vulën e Universitetit Evropian

“Aleksandër Moisiu”,merr vulën e Universitetit Evropian

Për herë të parë një universitet publik shqiptar merr nga Komisioni Evropian vulën e Universitetit Evropian dhe mbështetje financiare si pjesë e Aleancës së Universiteteve Evropiane STARS EU. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila uroi Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës për këtë arritje. Kushi u shpreh se kjo e ngarkon me një përgjegjësi edhe më të madhe Universitetin “Aleksandër Moisiu”, për të rritur më tej cilësinë dhe për të përmbushur qëllimet dhe rolin që ka në zhvillimin ekonomik e social jo vetëm për rajonin e Durrësit, por për të gjithë vendin. Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është partner i njërës prej 50 aleancave të universiteteve evropiane, përkatësisht Aleancës “STARS EU” e cila ka 9 universitete evropiane. STARS EU u shpall sot fituese në thirrjen 2023 Erasmus+ të Komisionit Evropian, i cili shpalli rezultatet për nismën e universiteteve evropiane, e cila ofron mbështetje për aleancat e institucioneve të arsimit të lartë. Këto aleanca të universiteteve evropiane po sjellin së bashku një brez të ri evropianësh që janë në gjendje të studiojnë dhe të punojnë në vende të ndryshme evropiane, në gjuhë të ndryshme dhe në sektorë dhe disiplina akademike. Falë këtyre aleancave, studentët mund të marrin një diplomë duke kombinuar studimet në disa vende evropiane, gjë që kontribuon në konkurrencën ndërkombëtare të institucioneve të arsimit të lartë në Evropë. Me rezultatet e sotme u shtuan shtatë aleanca të reja të universiteteve evropiane, gjithsej 50 aleanca tani përfshijnë më shumë se 430 institucione të arsimit të lartë në 35 vende. Këto përfshijnë të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe Islandën, Norvegjinë, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë. Studentët e këtyre institucioneve mund të përfitojnë nga një ofertë unike arsimore transnacionale dhe inovative, duke i lejuar ata të fitojnë aftësi dhe kompetenca thelbësore për të ardhmen. Për më tepër, duke bashkëpunuar me pothuajse 1700 partnerë të asociuar midis OJF-ve, ndërmarrjeve, autoriteteve lokale dhe rajonale, 50 aleancat e universiteteve evropiane sjellin risi në shkallë të gjerë në rajonet e Evropës. Me një buxhet të përgjithshëm rekord prej 402.2 milionë euro nga programi “Erasmus+” për këtë thirrje, secila aleancë merr një buxhet deri në 14.4 milionë euro për katër vjet. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments