Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARETirana mikpret Presidentin e 42-të të SHBA-ve, Clinton

Tirana mikpret Presidentin e 42-të të SHBA-ve, Clinton

Tirana është “veshur” me ngjyrat flamurit amerikan këtë të hënë, në kuadër të vizitës së parë historike në vendin tonë të ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Flamuj amerikan dhe simbolet e SHBA janë vendosur përgjatë akseve rrugore dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku ish Presidenti i SHBA do të pritet në një ceremoni të posaçme nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë në pjesën e përparme të Universitetit Politeknik të Tiranës është vendosur dhe një foto e ish Presidentit Bill Clinton me shënimin “Mirësevjen”. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës do të organizojë nesër dhe një koncert në orën 20:00, në titulluar “American Night” tek Amfiteatri në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Qytetarët do të mund të shijojnë këngët nga repertori amerikan, me super hite, me instrumentistët e Bandës së Qytetit, si dhe disa prej artistëve më të mirë, si: Eneda Tarifa, Ardita Meni (soprano), Gerald Murrja (tenor), Erlind Zeraliu (tenor). Pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe Moza Bekteshi Dance Academy. Sipas axhendës së publikuar dhe nga kryeministria, Ish-presidenti Clinton do të pritet në sheshin përpara Kryeministrisë nga Kreu i Qeverisë Rama. Gjatë ceremonisë parashikohet vendosja e himneve kombëtare të të dyja vendeve, ndërsa më tej një parakalim ceremonial. “Në orën 19.00 do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve. Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve. Në orën 19.05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë zotin Bill Clinton të marrë çmimin e akorduar. Mandej, në orën 19.25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-ve Bill Klinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit”,- njofton Kryeministria. Vizita e ish-presidentit amerikan Bill Clinton në Tiranë do të shoqërohet me masa sigurie nga policia përfshirë edhe kufizimin dhe devijimet e trafikut nga aeroporti i Rinasit deri në kryeqytet. Kjo është vizita e parë e ish Presidentit Clinton në Tiranë dhe vjen në prag të festës ditës së pavarësisë së SHBA-ve, në 4 Korrik. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments