Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja mori pjesë sot në ceremoninë e 10-vjetorit të themelimit të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësuesve. “Një dekadë më parë, themelimi i kësaj Dhome ishte një hap vizionar drejt nxitjes së një kulture ndërmjetësimi, si një dëshmi e qartë e fuqisë së komunikimit”, theksoi ministri Manja. Ai shtoi se, “ndryshimet ligjore që solli reforma në drejtësi lehtësuan zbatimin e ndërmjetësimit, si një mekanizëm i besueshëm për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve”. “Aktualisht, regjistri i ndërmjetësve numëron rreth 110 ndërmjetës, të cilët ushtrojnë në mënyrë aktive këtë profesion”, u shpreh Manja. Ministri i Drejtësisë falënderoi Agjencinë Austriake për Zhvillim për mbështetjen e veçantë nëpërmjet projektit “Zgjerimi dhe Fuqizimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri”. “Detyra e të gjithëve ne është ta forcojmë dhe të besojmë tek mekanizmat e ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, nënvizoi Manja. atsh