Ekipi i taskforcës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka qenë në të 12 qarqet e vendit ku janë kryer në total 238 kontrolle dhe janë marrë masa administrative për për të garantuar sigurinë ushqimore përgjatë sezonit veror. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në një postim në rrjetet sociale. “Ushqimi i mirë, me larmishmëri e cilësi të lartë ka rëndësi të posaçme për konsumatorët tanë si dhe ofertën turistike shqiptare, ndaj për të mbrojtur konsumatorët gjatë sezonit veror, Task Forca për Sigurinë Ushqimore është në territor në mbikëqyrje të operatorëve të biznesit ushqimor të prodhimit, përpunimit, magazinimit dhe tregtimit”, tha Krifca. Sipas Krifcës, kjo është një fushatë ndërgjegjësuese, por dhe kontroll për siguri ushqimore të lartë dhe mbrojtje të shëndetit për konsumatorët, pushuesit vendas e të huaj. “Sjellim në vëmendje posaçërisht kontrollin e kryer në Korçë, ku u konstatuan sasi të produkteve në market ushqimor, në shkelje të rregullave, me modifikim të datës së skadencës së produkteve dhe tregtimit të tyre pa faturë shoqëruese blerjeje apo liçensë përkatëse. Për gjetjet në kundërshtim me ligjin, në bashkëpunim të plotë me Policinë, janë marrë masat ndëshkuese”, tha Krifca. Ministrja Krifca u shpreh se “i bëjmë thirrje operatorëve, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e ushqimit, të respektojnë me përpikmëri rregullat e parashikuara pasi nuk do të ketë asnjë zmbrapsje, në asnjë rast dhe se AKU do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha organet ligjzbatuese dhe me qytetarët, duke ndëshkuar me forcë këdo që në paligjshmëri cënon shëndetin e konsumatorëve”. Objekt i kontrolleve nga taskforca janë kushtet higjieno-sanitare, kushtet e magazinimit dhe tregtimit dhe zbatimi i legjislacionit për sa i përket sigurisë së produkteve ushqimore. Taskforca do të jetë në terren deri në fund të shtatorit, kohë që përkon me mbylljen e sezonit veror. atsh
Siguria ushqimore:Taskforca 238 kontrolle në të gjithë vendin
RELATED ARTICLES