3 korriku është Dita Ndërkombëtare Pa Qese Plastike. Kjo është një iniciativë në nivel global, që synon të eliminojë përdorimin e qeseve plastike. Ato mund të duken një lehtësi e madhe në kryerjen e blerjeve të përditshme por janë edhe një problem i madh mjedisor. Mund të duhen më shumë se 500 vjet që një qese plastike të shpërbëhet në natyrë. Në këtë mënyrë ato qëndrojnë për një kohë tepër të gjatë nëpër landfille dhe ndotin ujërat nëntokësore.
Në epokën moderne plastika është bërë një burim i lirë dhe i bollshëm. Në vitin 1933, polietileni, plastika më e përdorur, u krijua rastësisht në një fabrikë kimike në Northwich, Angli. Fillimisht u përdor në fshehtësi nga ushtria britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Deri në vitin 1965, qesja e blerjeve u patentua nga kompania suedeze Celloplast. E dizenjuar nga inxhinieri Sten Gustaf Thulin, qesja plastike shpejt filloi të zëvendësonte pëlhurën dhe plastikën në Evropë. Pasi kontrolluan 80 për qind të tregut të qeseve në Evropë, qeset plastike shkuan jashtë vendit dhe u prezantuan gjerësisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 1979. Kompanitë plastike filluan të tregtonin në mënyrë agresive produktin e tyre si superior ndaj letrës dhe qeseve të ripërdorshme.
Vetëm në vitin 1997 studiuesi Charles Moore zbuloi mbeturinat e Paqësorit, ku janë grumbulluar sasi të mëdha mbetjesh plastike, duke kërcënuar jetën detare. U zbulua se qeset plastike vrasin breshkat e detit, të cilat gabimisht mendojnë se janë kandil deti dhe i hanë ato.
Një pjesë e madhe e vendeve të botës, përfshirë edhe Shqipëria janë angazhuar të ulin përdorimin e qeseve të holla plastike.
Dita Ndërkombëtare Pa Qese Plastike kërkon alternativa më të sigurta për të demonstruar se, një botë pa kaq shumë plastikë, është e mundur. Është pjesë e Lëvizjes Break Free from Plastic, e cila filloi në shtator 2016 dhe i janë bashkuar afro 1500 organizata të ndryshme. Lëvizja po kërkon zgjidhje për krizën e ndotjes plastike, për ta bërë planetin më të sigurt për njerëzit, mjedisin dhe kafshët e egra. atsh