Rama me bizneset furnizuese: Vendosni kapacitetet në funksion të krizës, momenti për të harruar fitimin

0
8

 Kryeministri Edi Rama gjatë paradites së sotme ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve furnizuese të ushqimeve për masat që po ndërmarrim nëpërmjet Paketës së Rezistencës Sociale.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se, “kemi bërë gjatë gjithë kësaj jave përmes ministres së Financave dhe Ekonomisë dhe ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një volum intensiv komunikimi me furnizuesit e shumicës dhe tregtuesit e pakicës për ushqimet bazë. Dhe sot është momenti për të bërë një komunikim edhe publik këtu në kryeministri për të ndarë me ju secila duhet të jetë vija e sjelljes në këtë moment kaq dramatik. Vijë që diktohet nga domosdoshmëria për të pasur një qasje të ndryshme nga ajo e kohëve normale”.

“Ju e dini që unë nuk hyj tek ata që besojnë tek ndërhyrjet në treg, por kjo vlen për një kohë normale. Dhe kjo vlen për krizat organike të një kohe normale. Siç ishte kriza organike e inflacionit në të gjithë botën që u reflektua dhe këtu, me një rritje të lehtë, jo të pandjeshme të çmimeve, hap pas hapi, në periudhën e fundit”, theksoi Rama.

Ndërkohë që sot, shtoi kryeministri, “nuk jemi në këto kushte, sot jemi në kushte të tjera. Kriza nuk është organike, kriza është e imponuar nga një agresion ushtarak i një fuqie të madhe ekonomike në furnizimin e shumë lëndëve të para të Rusisë mbi Ukrainën dhe nga një sërë zhvillimesh të kësaj lufte që po krijojnë në mënyrë të vazhdueshme një destabilizim të tregut për të cilin ju jeni dëshmitar në të përditshmen tuaj, sepse kjo është puna juaj dhe ju me tregjet merreni përditë”.

“Tani dua të jeni të bindur njëherë që ne e i dimë vështirësitë tuaja në këtë situatë, ku vështirësia kryesore dhe ajo që mund të rëndohet më tutje është gjetja e tregjeve, zëvendësimi i tyre, por tani është momenti për të harruar fitimin. Tani është momenti për të vendosur kapacitetet tuaja në funksion të përballimit të kësaj sfide shumë të madhe që nuk e kemi zgjedhur ne, na ka zgjedhur. Dhe të mbështetjes së atyre që janë më në nevojë se ne që jemi këtu”, iu drejtua Rama përfaqësuesve të bizneseve.

“Janë disa produkte bazë të shportës dhe këtu produkti më domethënës për sa po flasim është vaji, që kanë kërcyer në çmim, jo pa arsye, por ku ne besojmë se ka hapësirë të mjaftueshme për të manovruar me një ulje të çmimit për to. E di edhe çështjen e furnizimit, e di që është problem kudo jo vetëm në Shqipëri. Sepse gjatë këtyre ditëve ndërkohë që ministret kanë komunikuar me ju, unë kam bërë komunikimet e mia për të ndihmuar hapjen e rrugëve për burime të reja furnizimi dhe kur edhe vende të mëdha e kanë problem në afat të mesëm, sigurimin e të gjithë sasive të nevojshme bazuar në shifrat e konsumit, atëherë patjetër që s’ka si të jetë ndryshe këtu”, tha Rama.

Por, shtoi kreu i qeverisë, “përsëri vend për të ndërhyrë ka dhe ka jo pak në këtë moment”.

http://ata.gov.al/2022/03/17/rama-me-bizneset-furnizuese-vendosni-kapacitetet-ne-funksion-te-krizes-momenti-per-te-harruar-fitimin/