Qeveria shqiptare miratoi sot sot vendimin për të akorduar bursë sa paga minimale mujore për studentët, që do të zgjedhin degë si mësuesia, bujqësia apo turizmi. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në një komunikim me mediet. “Sot në Këshillin e Ministrave miratuam një vendim që përbën një lajm shumë të mirë për të gjithë maturantët që kanë vendosur të vazhdojnë studimet e larta në universitete, por po ashtu edhe për universitetet që duan të forcojnë apo të rigjallërojnë disa programe studimi që vitet e fundit nuk kanë qenë shumë të preferuara nga të rinjtë dhe të rejat. Konkretisht bëhet fjalë për vendimin që morëm vitin e kaluar për programet prioritare dhe mbështetjen financiare të studentëve ekselentë dhe të studentëve që ndjekin këto programe prioritare. Aktualisht sipas vendimit që është në fuqi ne kemi shpallur një listë të programeve prioritare siç janë bujqësia, disa inxhinieri, turizmi, mësuesia”, theksoi Kushi. Ndërkohë, vijoi ministrja, të gjithë ata maturantë që kanë mesataren mbi 8.5 dhe që zgjedhin një nga këto programe prioritare përfitojnë çdo muaj një bursë sa paga minimale. “Detyrimi i tyre është që pas diplomimit të qëndrojnë 3 vite, të japin kontribut për vendin. Dhe të njëjtën bursë sa paga minimale çdo muaj e përfitojnë edhe studentët ekselentë që janë me të gjitha dhjeta në maturë dhe të katërta provimet e maturës, ashtu sikurse ata që fitojnë olimpiada ndërkombëtare”, tha Kushi. Duke sqaruar se ku konsistojnë ndryshimet e vendimit të sotëm, Kushi u shpreh se “ne kemi vendosur që t’i ndajmë kuotat për këto bursa sipas universiteteve. Pra i gjithë buxheti që MAS ka në dispozicion për mbështetje studentore, për bursa studimi, t’i ndajë me kuota sipas universiteteve në varësi të numrit të studentëve që ata kanë dhe të programeve të studimit që janë pjesë e listës së programeve prioritare”. “Së dyti, kemi vendosur të heqim kriterin 8.5 të mesatares, për të gjithë ata që përfitojnë bursa duke ndjekur këto programe studimi. Që do të thotë, edhe një maturant që mund ta ketë mesataren më të ulët por gjithmonë duke plotësuar ato kriteret siç i kanë të gjithë studentët, siç është p.sh mësuesia me 7.5 apo kriteret e tjera. Pra duhet t’i plotësojnë kriteret bazë siç i kanë të gjithë maturantët e tjerë, por kemi hequr kriterin 8.5. Sepse sidomos në disa programe siç janë programet e bujqësisë, për shembull, për të qenë zooteknik apo veteriner, edhe me mesataren 8 apo ndoshta edhe 7.5 mund të jetë i suksesshëm për t’u finalizuar me diplomim për të dhënë më pas të japë kontribut për vendin”, nënvizoi Kushi. Ministrja Kushi tha se “ndërkohë që kemi hequr kështu gjithashtu edhe kriterin që duhet ta ruajë mesataren përgjatë studimeve. Pra në VKM-në ekzistuese maturantët për të vazhduar që ta marrin edhe vitin e dytë edhe vitin e tretë bursën, duhet të ruajnë mesataren që kanë nga shkolla e mesme. Ndërkohë që ne e kemi hequr. Pra edhe nëse një student vitin e parë edhe pse mund të ketë rënë nga mesatarja 8.5 në 8, ai do të vazhdojë të mbështetet me bursë edhe vitin e dytë, edhe në vitin e tretë, me qëllim që kjo mbështetje të vlejë për gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve”. Për ne, vijoi Kushi, nuk është thjesht qëllimi që të zgjedhë këtë program që është prioritar, por ta mbështesim përgjatë gjithë periudhës së studimeve, që në fund fare të finalizohet me diplomim, dhe në fund të fundit t’i shërbejë vendit edhe për karrierën e tyre dhe të ardhmen e tyre, por edhe për të plotësuar nevojat që ka vendi. “Ndërkohë që një ndryshim tjetër konsiston edhe tek lista e programeve prioritare, në konsultim me universitetet, ne kemi shtuar edhe disa programe, kryesisht në fushën e mësuesisë. Kemi përfshirë edhe arsimin fillor, apo arsimin parashkollor, programin histori-gjeografi, disa programe të inxhinierisë. Pra e kemi plotësuar këtë listë të programeve prioritare sipas nevojave që kanë edhe universitetet, por edhe zhvillimi i vendit”, tha Kushi. Ministrja Kushi ftoi të gjithë maturantët, me qenë se janë pikërisht në momentin që duhet të marrin vendimin se çfarë programi do të zgjedhin, apo cili është universiteti, ta vlerësojnë këtë mundësi sigurisht me kushtin që kur të diplomohen të qëndrojnë në Shqipëri dhe të japin kontributin minimumi për 3 vite. “Me vendimin e sotëm buxheti, do të ndahet me kuota për çdo universitet dhe pastaj janë vetë universitetet nëpërmjet senateve të tyre akademike që numrin total të kuotave që kanë për bursa e ndajnë në programe të ndryshme që janë prioritare sipas nevojave të tyre specifike apo zhvillimeve specifike që kanë zonat ku janë këto universitete. Arsyeja pse e kemi ndërmarrë këtë vendim, bashkë me universitetet, dua ta theksoj, kemi diskutuar gjatë me universitetet, është një vendim i përbashkët, është që t’i japim më shumë mundësi universiteteve, kryesisht universiteteve në qytete jashtë Tiranës. Sepse dihet që në Tiranë preferenca e të rinjve e të rejave, dhe që vijnë nga qytetet e tjera, është gjithnjë e lartë. Po kështu ne i japim edhe më shumë mbështetje universiteteve të tjera”, tha Kushi. atsh
Bursë sa paga minimale për të rinjtë që ndjekin degët mësuesi, bujqësi dhe turizëm
RELATED ARTICLES