Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi sot se “kemi nisur proces konsultimi për studentët e Mjekësisë, sepse jemi përballë një rreziku që pas disa vitesh mund të mos i plotësojmë dot nevojat që kemi për mjekë në institucionet tona shëndetësore”. Në një komunikim me mediet pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Kushi tha se “shumë vende të BE-së i kanë liberalizuar procedurat për të punësuar mjekë nga vende si Shqipëria dhe vende të rajonit”. Sipas saj, largimi i mjekëve drejt vendeve të zhvilluara të BE-së nuk është fenomen vetëm shqiptar, por i gjithë rajonit. “Ne si qeveri kemi përgjegjësinë që t’i parandalojmë këto problematika që mund të kemi pas disa vitesh, ne duhet i paraprijmë për këtë arsye kemi nisur procesin e konsultimit me studentë të mjekësisë, por konsultimet do të vazhdojnë edhe më gjerë, sepse ky është një vendim që nuk i takon vetëm studentëve të mjekësisë. Studentët paguajnë një tarifë shumë të ulët, madje pjesa më e madhe janë të përjashtuar pasi përfitojnë përjashtim nga tarifa dhe marrin bursa. Është e gjithë shoqëria që kontribuon për këta studentë, për formimin e tyre”, nënvizoi Kushi duke shtuar se kostoja për të formuar dhe diplomuar një mjek është më e lartë se në universitetet e tjera. Ministrja Kushi u shpreh se “jo vetëm studentët e vitit të parë të Mjekësisë do jenë përballë kësaj alternative, por edhe për vitet e tjera. Propozimi që kemi marrë nga studentët është që të jetë i ndryshëm për vite të ndryshme. Sepse ndryshe është studenti i vitit të parë që hyn me kushte të caktuara. Por ne mendojmë se të gjithë e kanë detyrimin të japin kontribut për Shqipërinë”. Ndërsa ministrja Manastirliu tha se “ne kemi ndërmarrë një proces të gjerë konsultimesh, takimesh, diskutimesh me studentët e mjekësisë, me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, rektorin dhe dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, si dhe pedagogë për të krijuar bazën më të mirë të diskutimeve dhe për të gjetur edhe zgjidhjet e alternativat më të mira”. “Në momentin që qeveria do ketë një vendim për të prezantuar ky do të jetë vendi që do të njiheni me të”, iu drejtua ministrja gazetarëve. atsh