Në shkallë vendi janë 784 subjekte të licensuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit, në fund të vitit 2022. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2022 janë regjistruar 32 subjekte më shumë se një vit më parë, ndërsa flota operon plotësisht në Nën-Zonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut). Statistikat tregojnë se, porti me numrin më të madh të anijeve të licensuara është porti i Durrësit me 37,24 % të flotës së përgjithshme, porti i Vlorës ka 30,48 % të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga porti i Sarandës me 15,18 %. Portet e peshkimit me përqindjet më të vogla të subjekteve të licensuara për peshkim janë ato të Lushnje-Fier me 2,30 % dhe Himarës me 1,53 %. Flota detare shqiptare nisur nga qëllimi i anijes ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica me 70,92 % si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike) me 25,00 %, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera. Për zhvillimin e sektorit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon të mbështesë peshkimin me subvencione nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2023. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, 80 subjekte kanë aplikuar në masën 7:Për rinovimin e anijeve të peshkimit dhe modernizimin e flotës. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i aplikimeve është rritur me rreth 30 subjekte. Ndërkohë që, numri më i lartë i aplikimeve ka ardhur nga qarku i Durrësit, ku peshkatarët kanë aplikuar për rinovimin e përgjithshëm të flotës detare, si edhe për zëvendësimin e motorrit të anijes. Në Skemën Kombëtare të këtij viti, masat mbështetëse 7; parashikon subvencionim 50 % të vlerës të blerjes së anijes së peshkimit në vlerë financimi, jo më shumë se 13,500,000 lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt. Sektorit të peshkimit vitet e fundit i janë krijuar një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit. Ndërsa investimet, të kombinuara me kërkesën në rritje të tregut të huaj, kanë sjellë rritje progresive të peshkut të zënë dhe të eksportit. Rritja e eksporteve në këtë segment erdhi pas zgjerimit të investimeve, falë mbështetjes së programeve që adresoi qeveria për financimin e industrisë së peshkut. Gjithashtu rol të rëndësishëm ka luajtur edhe përmirësimi i infrastrukturës në portet e peshkimit, si edhe ndërtimi i markatave të reja për tregtimin e peshkut, që ka shtuar vlerën e këtij produkti në tregje. Sot eksporti i peshkut ka shënuar një rritje të shumëfishtë. Në krahasim me 2013-ën eksportet janë rritur 4 herë më shumë. Në 2022 u eksportuan mbi 9219 tonë prodhime deti. atsh
Peshkim, rritet numri i subjekteve të licensuara
RELATED ARTICLES