Pas kryengritjes së mercenarëve në Rusi, ministrja austriake e Energjisë, Leonore Gewessler ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dërgesave të gazit nga Rusia. Qeveria në Vjenë i ka vendosur vetes synimin që të heqë gradualisht importin e gazit rus deri në vitin 2027. Pavarësisht luftës, Austria i merr furnizimet e saj gazit nëpërmjet tubacioneve që kalojnë përmes Ukrainës. “Situata politike konfirmon se dërgesat ruse nuk janë të sigurta dhe se do të mbetet e tillë në të ardhmen e parashikueshme”, tha sot Gewessler e Partisë së Gjelbër, në Vjenë. Gewessler kritikoi faktin se mbi 50% e kërkesës së gazit në Austri u importua nga Rusia në prill, krahasuar me rreth 80% përpara luftës. “Unë mendoj se është krejtësisht e gabuar nëse ne përdorim faturat tona të energjisë për të financuar luftën dhe makinerinë ruse të luftës”, tha ajo. Përfaqësuesit e industrisë kërkuan zgjerimin e kapaciteteve të tubacioneve në mënyrë që të mund të sigurojnë më shumë gaz nëpërmjet Gjermanisë dhe Italisë. atsh