Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës. Pavarësisht ndalimit absolut të torturës sipas ligjit ndërkombëtar, tortura vazhdon në të gjitha rajonet e botës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres ka deklaruar se, “torturuesit nuk duhen lejuar të shpëtojnë pa u ndëshkuar për krimet e tyre dhe se sistemet që lejojnë torturën duhen shpartalluar ose transformuar”. Shqetësimet për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe kufijve përdoren gjithnjë e më shumë për të lejuar torturën dhe forma të tjera të trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues. Kombet e Bashkuara e kanë dënuar torturën që në fillim si një nga aktet më të neveritshme të kryera nga qeniet njerëzore ndaj qenieve njerëzore. Tortura është një krim sipas ligjit ndërkombëtar. Sipas të gjitha instrumenteve përkatëse, është absolutisht e ndaluar dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. Ky ndalim është i detyrueshëm për çdo anëtar të bashkësisë ndërkombëtare, pavarësisht nëse një shtet ka ratifikuar traktatet ndërkombëtare në të cilat tortura është e ndaluar shprehimisht. Praktika sistematike ose e përhapur e torturës përbën një krim kundër njerëzimit. Më 12 dhjetor 1997, me rezolutën 52/149, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 26 qershorin Ditën Ndërkombëtare në Mbështetjen e Viktimave të Torturës, me synimin për çrrënjosjen totale të torturës dhe funksionimin efektiv të Konventës kundër Torturës. 26 qershori është një mundësi për t’u bërë thirrje të gjitha palëve të interesuara, përfshirë shtetet anëtare të OKB-së, shoqërinë civile dhe individët kudo që janë, të bashkohen në mbështetje të qindra mijëra njerëzve në mbarë botën që kanë qenë viktima të torturës dhe atyre që torturohen ende sot. atsh
OKB: Tortura, krim kundër njerëzimit
RELATED ARTICLES