Kryeministri Edi Rama publikon inspektimin e zhvilluar nga Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, në kantierin e punimeve të lotit 2 të Unazës së Madhe të Tiranës. Kryeministri Rama duke ndarë pamjet e inspektimit, bënë të ditur se janë realizuar 65 % të punimeve. “Në lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës janë realizuar 65 % e punimeve dhe është gati për të nisur puna për vendosjen e trarëve për urën, një prej veprave më të rëndësishme që janë pjesë e këtij projekti”, nënvizon Rama. Zv/kryeministrja Balluku gjatë inspektimit u shpreh se përfundimi i punimeve pritet t’i japë hov zhvillimit urbanistik të zonës me projekte konkrete. “E gjithë zona parashikohet që të ketë zhvillim urbanistik, edhe nga të gjitha planet që janë thënë, edhe kryetari i bashkisë së Kamzës dhe kryetari i bashkisë së Tiranës janë duke menduar sesi këto zona do të zhvillohen për të qenë zona akomoduese për familjet e reja, për ato paketat e kredive të buta që tashmë ne kemi kaluar një VKM që do të fillojë të jetë funksionale për të gjithë ato punonjës të policisë, ushtrisë apo të shëndetësisë që do kenë dëshirë që të aplikojnë për këto kredi. Këto janë zonat që janë parashikuar për urbanizim”, nënvizoi Balluku. Në kuadër të ecurisë së punimeve për lotin 2, Balluku u shpreh optimiste, pasi parashikohet që ato të përfundojnë në muajin shtator të këtij viti, para afatit të parashikuar në kontratë. “Ka qenë dikur koha, që kur deklaronim që do të përfundonim në afat ishte një fitore shumë e madhe, por tashmë nuk është kështu, pasi vetëm ato projekte të cilat i kemi trashëguar me problematikën që kanë, siç janë rastet e problematikave gjeologjike apo moszgjidhje e disa nyjeve të caktuara për shkak të shpronësimeve, pjesa tjetër e projekteve sidomos projektet e reja, projektet e viteve të fundit që nisin me studim, nisin me të gjitha fazat e përmbyllura të procedurave administrative, asnjëra prej tyre nuk del jashtë afatit, dhe kjo është diçka shumë e mirë”, u shpreh Balluku. Nga krahu tjetër, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Berberi e informoi ministren Balluku mbi detajet e punimeve. “Duke qenë se kemi pasur një ritëm shumë të mirë, pretendojmë që brenda muajit shtator ta kemi të përfunduar. Kemi arritur që sot, në urën që është ura më e madhe që ne kemi në këtë segment, nga 72 trarë kemi prodhuar 67, jemi duke prodhuar 5 trarët e fundit dhe nga e hëna në mëngjes ne pretendojmë të fillojmë montimin e trarëve, i cili do të zgjasë 15 deri në 20 ditë”, theksoi drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. Ndërtimi i Unazës së Madhe, nga njëra anë do të lehtësojë qarkullimin në kryeqytet dhe nga ana tjetër do të bëjë të mundur edhe urbanizimin e zonave përgjatë të cilave ajo kalon. atsh
Loti 2 i Unazës së Madhe,realizuar 65% e punimeve
RELATED ARTICLES