Mitrovica së shpejti do të jetë në qendër të vëmendjes për artdashësit, me nisjen e edicionit të 13-të të festivalit Green Fest. Qytetarët do t’i bashkohen një rrugëtimi magjik të ndërgjegjësimit mjedisor dhe rekreacionit. Përgjatë datave 29 qershor – 2 korrik, pranë parkut të qytetit në Mitrovicë do të ofrohet një program dinamik me aktivitete gjithëpërfshirëse, edukative dhe argëtuese. Green Fest është gati të nisë me temën frymëzuese “Imagine”. Organizatorët kanë planifikuar shfaqje filmash, aktivitete muzikore me këngëtarët më në zë të momentit, por edhe momente reflektimi e debate mbi situatën mjedisore në Mitrovicë. Një emër i njohur si Arian Mavriqi do të jetë aty për çeljen e një ekspozite fotografike si dhe për prezantimin e dokumentarit “Wild Kosova”. Ndërkaq, orët e natës do të elektrizohen me performancën e artistëve si: Ataraxia, Vedat Ademi, Dren Abazi & Zig Zag Orchestra. Fokusi i Green Fest, siç e thotë dhe emri i festivalit, do të jetë tek mbrojtja dhe mbajtja pastër e mjedisit që na rrethon. Vëmendja e të rinjve do të tërhiqet nga shëtitjet me biçikleta, hiking etj. Ashtu si tema e këtij viti, imagjinata duhet të shkojë drejt një Mitrovice paqësore, me lumenj të paster, me pyje të dendur e ujë të kristaltë. “Imagjinoni rrugët urbane me më pak makina e më shumë bicikleta. Imagjinoni parkun industrial të Trepçës, të kthyer në një oaz të gjelbër e të jetueshëm, të hapur për qytetarët e turistët, e që ofron hapësira për zhvillimin, ideve inovative, vende të reja pune e gjithëpërfshirje”, kjo është thirrja që bën Green Fest në këtë edicion të 13-të të tij. atsh