Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi foli në Kuvend për projektligjin për nxitjen e punësimit dhe atë të strehimit social. Në fjalën e saj, Muzhaqi tha se ky është një projektligj i rëndësishëm që synon mbështetjen e të rinjve në situatë vulnerabël, ndërsa projektligji i strehimit social i ndihmon të sigurojnë banesën e tyre të parë. Ministrja shpjegoi se me miratimin e projektligjit për nxitjen e punësimit sigurohet edhe baza ligjore për ngritjen e skemës së garancisë rinore në vend, e cila adreson nevojat e të rinjve shqiptarë të cilët nuk janë as në punë, as në shkollë dhe as nuk kanë një formim profesional. Muzhaqi theksoi se programi i garancisë rinore do të nisë zbatimin vitin e ardhshëm dhe synon formimin dhe aftësimin e të rinjve sipas nevojave të tregut të punës. Të rinjtë që do të regjistrohen në zyrën e punësimit, brenda 4 muajve do t’u sigurohet një ofertë e vlefshme në përputhje me nevojat individuale, do t’u ofrohet ose trajnim ose edukim i mëtejshëm me mbështetjen e skemës “Voucher” dhe në rastin e të rinjve të arsimuar, por të papunësuar do t’u ofrohet mundësi punësimi. Ministrja Muzhaqi u ndal edhe tek programi i kodimit, në kuadër të të cilit qeveria jep mbështetje për të rinjtë përmes subvencionit deri në 100 % të kostos së trajnimit. Duke u ndalur në shifra, Muzhaqi tha se në 5 muaj ka pasur mbi 3000 aplikime, prej të cilave 524 të rinj kanë filluar tashmë kurset e programimit dhe kodimit. atsh