Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit vijon kontrollet intensive përgjatë vijës bregdetare për të garantuar sigurinë e pushuesve në sezonin turistik. Policia e Shtetit njoftoi sot se, “si rezultat i kontrolleve, janë sekuestruar 7 mjete lundruese (6 Jet Ski dhe 1 skaf), konkretisht: 1 në Dhërmi, 1 në Vlorë, 4 në Shëngjin dhe 1 në Gjirin e Lalëzit, Durrës. Drejtuesit e 3 mjeteve lundruese Jet Ski u ndëshkuan secili më masë administrative 100 000 lekë të rinj, pasi janë konstatuar duke bërë manovra me këto mjete, në zonën e përcaktuar për pushuesit, në plazhin e Kunes, në Shëngjin. Për drejtuesin e mjetit lundrues Jet Ski që u sekuestrua në Vlorë dhe për drejtuesin e mjetit lundrues skaf që u sekuestrua në Dhërmi, u vendosën respektivisht masat administrative 20 000 lekë të rinj, pasi asnjëri prej tyre nuk kishte kryer procedurat e regjistrimit të mjetit lundrues brenda afatit të përcaktuar në ligj”, bëhet me dije në njoftimin e Policisë. “Për përdoruesin e mjetit tjetër lundrues Jet Ski që u sekuestrua në Shëngjin dhe për pronarin e mjetit lundrues Jet Ski që u sekuestrua në gjirin e Lalzit, Durrës, u vendosën respektivisht masat administrarive 10 000 lekë të rinj, pasi gjatë kontrollit u konstatua se ata nuk kishin në bord, dokumentacion e nevojshëm për lundrim”, sqaron Policia. Policia e Shtetit garanton se do të vijojnë kontrollet gjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim verifikimin e dokumentacionit të mjeteve lundruese dhe të zbatimit të rregullave të lundrimit, nga përdoruesit e këtyre mjeteve. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që për çdo rast paligjshmërie që lidhet me përdorimin e mjeteve lundruese, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe ligjor”, theksohet në njoftimin e Policisë. Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e Policisë së Shtetit bëhet me dije po ashtu se Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë monitorimit të hapësirës detare, në periudhën maj-qershor 2023, kanë sekuestruar 48 mjete të ndryshme lundruese që janë konstatuar në paligjshmëri, si dhe kanë proceduar me masa administrative, drejtuesit e tyre. atsh