Saturday, November 23, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE“El Pais” promovon agroturizmin, vlerësim me 5 yje për Shqipërinë

“El Pais” promovon agroturizmin, vlerësim me 5 yje për Shqipërinë

Shkrimi i El Pais

Në vitin 2021, Shqipëria priti 5,6 milionë turistë të huaj, të joshur nga plazhet e saj perfekte të Jonit, nga peizazhi i përthyer i Alpeve Shqiptare dhe nga një trashëgimi e pafund historike, shkruan Victoria Zarate* për gazetën më të madhe spanjolle ”El Pais”.

”Megjithëse grumbullimi i turistëve këtu nuk ka filluar ende, çdo vit i kushton më shumë vendit ballkanik që të ruajë reputacionin e tij si sekreti më i ruajtur në Ballkan, një alternativë e qetë dhe ekonomike për bregdetin e Mesdheut që ofron Spanja, Italia apo Greqia.

Por, ka ende shumë për të eksploruar në Shqipërinë e paprekur, përtej resorteve të viteve ’90 dhe plazheve të mbushura me motorë uji, që përcaktojnë 400 kilometrat e vijës së saj bregdetare ku bashkohen detet Jon dhe Adriatik. Një mënyrë ndryshe dhe që lidhet me trashëgiminë e saj të pasur është ta vizitoni vendin përmes rrjetit të gjerë të hapësirave të certifikuara si objekte agroturistike, që ofrohet në të gjithë gjeografinë e saj.

Pas zhdukjes së një pjese të mirë të kooperativave bujqësore, të shkaktuara nga rënia e regjimit komunist, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fermat panë rënien e prodhimit të tyre, që rifilloi një dekadë më pas. Të njohura në prodhimin e grurit, misrit, duhanit, mishit dhe produkteve të qumështit, shumë prej tyre tani kanë rimarrë shkëlqimin e dikurshëm, të gjallëruar nga brezat e rinj që shkuan jashtë vendit, veçanërisht në kuzhinat italiane, për të mësuar se si të gatuajnë. Ata përpunojnë ushqimet lokale dhe përcaktojnë historinë e tyre në vendin e tyre të lindjes. Një dhuratë premtuese për bizneset e reja, që transferojnë të kaluarën bujqësore shqiptare në akomodime rurale, taverna dhe kantina të suksesshme, ku mund të provoni librin tradicional shqiptar të recetave me një shije bashkëkohore apo të degustoni verë apo të zgjoheni në një mjedis të pakrahasueshëm dhe me ​​çmime më të ulëta konkurruese.

Në këtë itinerar që nis pak kilometra nga Tirana (në këtë qytet operon aeroporti kryesor ndërkombëtar, me kompani si ”Wizz Air” që ofron fluturime direkte nga Madridi dhe Barcelona), histori personale grumbullohen sapo kalon pragun e çdo vendi. E para na çon vetëm 20 minuta me makinë në drejtim të Prezës, një fushë e rrethuar nga malet e Krujës dhe Dajtit dhe një qytet mjaft i vizituar për kështjellën e tij mesjetare që shërbeu si një bastion strategjik për heroin kombëtar, Skënderbeu. Pak metra larg sheshit kryesor, kantina ”Enol” ju pret me një fermë dhe punishte vere dhe ju fton të ndani produktet e saj vendase në kopshtin e saj të pyllëzuar, të ngrohur nga mbulesat e kuqe të tavolinave, me buqeta lulesh të egra dhe një furrë me tulla në natyrë. Eni dhe Olsi, djemtë e themeluesit të saj Qemal Alushi, vendosën një ditë të ndiqnin pasionin e tij për verën dhe të përmbushnin një ëndërr të vjetër rinore për të prodhuar verën e vet.

Hardhitë e para në kodër që ndajnë ullinjtë, kumbullat dhe pemët e tjera frutore, u mbollën në vitin 2002 dhe u përpunuan në vjeljen e tyre të parë shtatë vjet më vonë. Me një prodhim aktual që arrin në 10 000 shishe në vit, verërat e saj përziejnë notat e kabernetit, sangiovese dhe merlotit dhe mund të shijohen para tryezës së drurit, të ndjekur nga fjalët që Olsi, mjeshtri i verës, flet me entuziazëm në lidhje me kultivimin e saj. Por, asgjë nuk mbaron këtu. Ata gjithashtu zhvillojnë degustime të disa varieteteve të rakisë, një pije shumë e popullarizuar në Shqipëri me shije mjalti, kanelle dhe karafili. Eni merr përsipër pjesën gastronomike të biznesit me nënën e tij, me një menu të bërë nga produkte artizanale si reçel, gjalpë, djathë dhe kos të bërë me qumësht të mbledhur në fshatrat e afërta. Shkoni herët të provoni gjithçka në shtëpinë e tyre, si për shembull një antipastë për t’ju hapur oreksin apo kecin e pjekur në hell.

Këtu pranë, në rrugën që të çon në Durrës, bregdeti më i ngarkuar i Adriatikut në vend dhe porti kryesor, ka disa adresa për t’u marrë parasysh. Nga njëra anë, ”Gjepali”, i aksesueshëm vetëm me makinë, duke kaluar një shteg me korsi të ngushta mes fushave dhe qarqeve lumore që ”çmendin” edhe Google Maps. Historia e këtij kompleksi rural filloi 23 vjet më parë, kur themeluesi i tij Fundim Gjepali emigroi në Itali në kërkim të një fati më të mirë. Pasi u bë një kuzhinier i njohur në qytete si Roma dhe Tirana (në këtë të fundit ai ka një restorant të kuzhinës së lartë), ai krijoi paralelisht këtë shtëpi-fermë të stilit toskan, me kuzhinë që kënaq dashamirësit bio. Një bujtinë e ndërtuar mbi pllaka terrakote dhe e zbukuruar me vepra të piktorëve shqiptarë, ku mund të provoni specialitete vendase si byrek me qumësht dhe përzgjedhjen e verërave italiane.

Për ata që vendosin të kalojnë natën atje (dhoma të disponueshme nga 30 euro), mëngjesi nuk do t’ju zhgënjejë me bukë, perime dhe fruta, të sjella nga kopshti i tyre.

Pranë akomodimit avangardë në formën e kabinave prej druri, me pamje nga një liqen i bukur, është gostia gastronomike e ofruar nga Huqi (nga 50 euro nata për dhomë dyshe) në rrugën për në Gjirin e Lalzit, katër kilometra nga Maminasi në Radë, që gjallërohet me shëtitjet me varka dhe ditët e peshkimit, përveç kënaqësisë së krijuar nga kopshti i tij i populluar nga pulat, rosat dhe lepujt. Përpara kësaj kanavace idilike me pamje nga Adriatiku, qëndron një fermë dhe restorant i drejtuar nga një ish-oficer i ushtrisë, i cili donte të ndërtonte një projekt në tokën e të parëve të tij, që do t’i bënte homazh natyrës që e rrethon. Kur vjen vera dhe darkuesit ulen në tavolinë, një ”meze” me manaferra dhe mjedra të mbledhura nga fusha e tyre, i paraprin një liste të gjatë gatimesh tradicionale si lakror me domate dhe qepë, spinaq ose kos, djathë dhie apo keci, i pjekur në dru, brenda një pusi të thatë, tre metra të thellë. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments