I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se situata në veri të Kosovës ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal, ndërsa u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për shtensionimin e gjendjes dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ai i bëri këto komente në një debat me Ilva Taren në Këshillin Atlantik së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, në të cilin shprehën shqetësimin me zhvillimet në veri të Kosovës. “Jam shumë i shqetësuar, kjo situatë ka potencialin të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe konfrontim rajonal dhe kjo është arsyeja përse ne po i mbështesim kaq fort përpjekjet evropiane”. Kjo duhet të jetë përpjekje evropiane sepse të dy vendet janë në Evropë, aspirata më e lartë e tyre është integrimi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, do të donim ta shihnim atë pjesë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kështu që ne duam një proces që ulë shqetësimet e pesë vendeve mosnjohëse dhe ky duhet të jetë proces evropian, por kjo nuk do të thotë se ne qëndrojmë pasiv”, tha zoti Escobar. “Mendoj se momenti është shumë i rëndësishëm dhe shumë kritik në kuptimin që ne duhet të diskutojmë hapat e mëtejshëm. Situata është shumë e vështirë, jam shumë i shqetësuar. Që nga 26 maji ka njerëz që po qëndrojnë në rrugë, ka policë të Kosovës, ka forca të KFOR-it ndërsa tashmë kemi parë një seri incidentesh, prandaj vlerësoj se përparësi është shtensionimi i situatës. Të largohen njerëzit nga rruga, palët t’i kthehen dialogut dhe padyshim pjesë e këtij procesi është organizimi i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrje të komunitetit serb. pa parakushte. Nëse nuk arrijmë të bëjmë këtë atëherë mund të ketë viktima dhe nuk mund ta përballojmë këtë”, tha zoti Lajcak. Zoti Escobar kërkoi sërish lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi, një qëndrim që u mbështet edhe nga zoti Lajcak. atsh
Escobar: Situata,potencial të shndërrohet në konflikt rajonal
RELATED ARTICLES