Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kryetarin e Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, lidhur me raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2022. Ahmeti tha se, “kapaciteti total prodhues i energjisë elektrike i instaluar në vendin tonë për vitin 2022 shënoi 2,614 MW, duke regjistruar një nivel në rritje krahasuar me vitin 2021 prej rreth 9 MW. Ndërkohë prodhimi Energjisë Elektrike, rezulton se për vitin 2022, Prodhimi Total Neto vendas i energjisë elektrike i realizuar është 7002645 MWh, nga i cili, 3859730 MWh u prodhua nga centralet në zotërim të kompanisë publike KESH sh.a. si dhe 3142920 MWh u prodhua nga centralet e tjera”. Sipas tij, prodhimi i energjisë elektrike, i realizuar për vitin 2022, nga KESH sh.a., zë 55.11% të gjithë prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë dhe prodhimi i energjisë elektrike nga prodhuesit e tjerë zë rreth 44.89%. Krahasuar me vitin 2021 prodhimi i energjisë elektrike i realizuar nga KESH sh.a. ka mbuluar 59.6% të gjithë prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë dhe prodhimi i energjisë elektrike nga prodhuesit e tjerë ka mbuluar rreth 40.4%. Bazuar në të dhënat e raportuara nga të licencuarit, ai tregoi se, viti 2022 konsiderohet si një vit relativisht i mirë hidrologjik nga pikëpamja e prodhimit të energjisë. Kjo për faktin, siç tha Ahmeti, se prodhimi i realizuar këtë vit prej 7,002 GWh, rezulton të jetë 861 GWh më shumë se prodhimi mesatar i energjisë elektrike në periudhën 2009 – 2022. Ahmeti tha se, “vitet e fundit në vendin tonë janë instaluar impiante të prodhimit të energjisë elektrike nga centrale fotovoltaike, të cilat ndikojnë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjise elektrikeku, kapaciteti total i instaluar i tyre është 23 MW dhe prodhimi total rezulton të jetë në masën 5092 MWh”. Sipas tij, konsumi i energjisë elektrike për vitin 2022 arriti në 7,923,713 MWh dhe krahasuar me vitin 2021, vërehet një ulje e konsumit të energjisë elektrike në vend për vitin 2022 me 491,123 MWh. Ai vuri në dukje se, balanca neto e shkëmbimit të energjisë elektrike për vitin 2022 prej 921 GWh, rezulton si diferencë e eksportit të realizuar në sasinë prej 2,123 GWh dhe importit të realizuar në vlerën 3,044 GWh. Kjo diferenë, tha Ahmeti, është e kuptueshme për faktin se, sistemi elektroenergjitik shqiptar e bazon prodhimin e energjisë elektrike në burimet hidrike. Lidhur me humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes përgjatë vitit 2022, Ahmeti theksoi se, ky tregues shënoi ulje me 19.7 %. “Niveli i Humbjeve në sistemin e transmetimit për vitin 2022 është 199,994 MWh ose 2.09% e energjisë elektrike të transmetuar dhe niveli total i arkëtimeve për vitin 2022 i raportuar nga operatorët është është 98 % kundrejt energjisë elektrike të faturuar”, tha Ahmeti, teksa vlerësoi se, bursa e energjisë elektrike e krijuar, në 2020, përgjatë vitit 2022 pati zhvillime të rëndësishme. atsh
Prodhimi i energjisë elektrike u rrit me 861 GWh në 2022
RELATED ARTICLES