Shefi i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të heqin dorë nga “retorika e kotë” dhe të bisedojnë për t’i ulur tensionet. “I ftoj sërish të dyja palët që të shmangin retorikën e kotë dhe të përballen me këtë sfidë në tavolinë të negociatave, pasi kjo është rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë”, u ka thënë ai gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë. Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit. Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje Mbajtjen e zgjedhjeve të reja Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kurti, në anën tjetër, ka dalë me propozimin e vet. Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë. Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave Më 16 qershor, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se, Kosova do të përballet me pasoja nëse vazhdon të injorojë këshillën e Shteteve të Bashkuara – që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga ndërtesat komunale në veri. Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. atsh
KFOR, thirrje Prishtinës e Beogradit të ulen e të bisedojnë
RELATED ARTICLES