Arben Merkoçi, profesor i ICREA-s dhe drejtor i grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institut Català de Nanociencia i Nanotecnologia (ICN2), u prezantua si kryetar i ri i grupit të punës për zonën europiane të kërkimit shkencor (ERA). Në takimin e parë të vitit për këtë grup, prof. Merkoçi, anëtar i Akademisë e Shkencave të Shqipërisë, u emërua në detyrë nga Bordi i Federatës Evropiane të Akademive të Shkencave dhe Shkencave Humane (ALLEA) me propozim të Kryesisë së ALLEA-s. Prof. Merkoçi e merr këtë post nga prof. Kerstin Sahlin, anëtar i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave) e cila kryesonte për vitin 2021. ALLEA shpreh falënderimet e saj të përzemërta për prof. Sahlin, në mandatin e të cilës u arrit publikimi i një deklarate të re të lirisë dhe ekselencës për ERA, midis arritjeve të tjera të dukshme përgjatë mandatit të saj. Akademia e Shkencave e Shqipërisë vlerëson thellësisht angazhimin e saj të vazhdueshëm si anëtare e përhershme në grupin e punës në zonën evropiane të kërkimit shkencor. ALLEA është Federata Europiane e Akademive të Shkencave dhe Shkencave Humane, që përfaqëson më shumë se 50 akademi nga rreth 40 vende të BE-së dhe jo-BE. Që nga themelimi i saj në 1994, ALLEA flet në emër të anëtarëve të saj në skenën europiane dhe ndërkombëtare, promovon shkencën si një e mirë publike globale dhe lehtëson bashkëpunimin shkencor përtej kufijve dhe disiplinave. Akademitë janë organe vetëqeverisëse të shkencëtarëve të shquar të nxjerrë nga të gjitha fushat e kërkimit shkencor. Ato përmbajnë një burim unik njerëzor të përsosmërisë intelektuale, përvojës dhe njohurive shumëdisiplinore të dedikuara për avancimin e shkencës dhe studimeve në Evropë dhe në botë. Së bashku me anëtarët e saj, ALLEA kërkon të përmirësojë kushtet për kërkime, të ofrojë këshillat më të mira shkencore të pavarura dhe ndërdisiplinore në dispozicion dhe të forcojë rolin e shkencës në shoqëri. Duke e bërë këtë, ALLEA kanalizon ekspertizën e akademive evropiane në dobi të komunitetit kërkimor, vendimmarrësve dhe publikut. Rezultatet përfshijnë këshilla të bazuara në shkencë në përgjigje të temave të rëndësishme shoqërore, si dhe aktivitete për të inkurajuar bashkëpunimin shkencor, arsyetimin shkencor dhe vlerat përmes angazhimit publik. ALLEA është krijuar si një shoqatë jofitimprurëse dhe mbetet plotësisht e pavarur nga interesat politike, fetare, tregtare apo ideologjike. Takimi radhës i Grupit të Punës për ERA do të mbahet në Tiranë më 13 tetor duke qenë Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizuesja e këtij takimi.