Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREPolicia, trajnim për gjetjen e fëmijëve të humbur

Policia, trajnim për gjetjen e fëmijëve të humbur

 Qendra Ndërkombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (ICMEC) në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT) dhe me mbështetjen dhe financimin e Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, janë duke trajnuar Policinë e Shtetit për operimin e një sistemi alarmi të shpejtë, si sistemi amerikan Amber Alert, në Shqipëri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, bën të ditur se këto sinjalizime lëshohen nga policia për të angazhuar organet ligjzbatuese, institucionet e mbrojtjes së fëmijëve, OSHC-të dhe të gjithë komunitetin në gjetjen dhe rikuperimin e shpejtë dhe të sigurt të një fëmije të humbur.

Trajnimi i oficerëve të policisë dhe reaguesve të linjës së parë mbi funksionimin e përgjithshëm të Alert përfshin provat praktike të lëshimit të sinjalit, koordinimin me partnerët, etj.

Trajnuesit e ekspertëve janë nga SHBA, Greqia dhe Shqipëria. Qëllimi është të forcohet puna e policisë në mbrojtjen e fëmijëve në situata të rrezikshme dhe me rrezik të lartë, veçanërisht fëmijët që zhduken ose rrëmbehen, të cilët janë në rrezik më të lartë shfrytëzimi ose trafikimi.

Për Policinë Shqiptare, nisja e Amber Alert është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Alarmi do t’i mundësojë publikut të mbështesë policinë në gjetjen e fëmijëve të zhdukur duke shpërndarë informacione për fëmijën dhe rrëmbyesin e mundshëm, për të gjetur më shpejt dhe më të sigurt fëmijën e zhdukur. Së bashku me ekspertizën e Policisë së Shtetit Shqiptar dhe trajnimin e ofruar, këto këshilla do të ndihmojnë në bërjen e hetimit policor më të shpejtë dhe më efikas.

CRCA/ECPAT Albania ka mbrojtur zbatimin e Amber Alert për 13 vitet e fundit. Shqipëria do të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të zbatojë sinjalin, duke shërbyer si një shembull pozitiv për të gjithë rajonin. Në Evropë, janë 20 vende që kanë zbatuar Amber Alert për fëmijët e humbur.

Amber Alert u krijua në vitin 1996 në SHBA, pas humbjes së një vajze 9-vjeçare, Amber Hagerman, e cila u rrëmbye dhe më pas u gjet e vrarë në Teksas. Humbja e Amber zgjoi shoqërinë, institucionet dhe ligjvënësit amerikanë, të cilët së bashku vendosën të krijonin një sinjal emergjence njoftimi, sa herë që një fëmijë i zhdukur mendohet të jetë në rrezik për jetën ose të shfrytëzohet. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments