Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEKOSOVA​Sveçla:Ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë për lirimin

​Sveçla:Ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë për lirimin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se Serbia ka kidnapuar tre zyrtarë policorë në territorin e Kosovës, duke shkelur kështu çdo marrëveshje e çdo parim të normave ndërkombëtare. Sveçla ka kërkuar nga faktori ndërkombëtarë të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët policorë por edhe të ndalë provokimet e saj. Ai ka thënë se Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. “Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor… Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”, ka shkruar ai. “Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare. Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, ka shkruar Sveçla. Ai ka shtuar se sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend. Policia e Kosovës njoftoi më herët se në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit u raportua sot se janë rrëmbyer tre zyrtarë kufitarë patrullues. Bëhet e ditur se Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. “Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe. Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës”, thuhet në komunikatë për media. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments