Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano njoftoi dje se 27 vendet anëtare të BE-së njëzëri, kanë rënë dakord të marrin masa të kthyeshme dhe të përkohshme kundër Kosovës, në varësi të zhvillimeve në terren dhe hapave të besueshëm vendimtarë të kryeministrit Albin Kurti, sipas “BalkanInsight”. Sipas Stano, BE-ja ka përgatitur propozime me masa me efekt të menjëhershëm. Disa nga masat që ai përmendi përfshijnë pezullimin e vizitave, kontakteve dhe ngjarjeve të nivelit të lartë si dhe bashkëpunimin tonë financiar me Kosovën. “Nuk ka sanksione, pavarësisht thirrjeve tona të përsëritura, kryeministri Kurti deri më tani ka dështuar të ndërmarrë hapa dhe veprime vendimtare për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve në veriun me shumicë serbe, ku protestat kanë vazhduar që nga 26 maji”, tha Stano. Duke iu referuar propozimit me pesë pika për shmangien e përshkallëzimit që Kurti shpalli të martën, Stano tha se ky propozim nuk mund të adresojë në mënyrë adekuate disa elemente kyçe që shkaktuan krizën e fundit, dhe të cilën presim që ai ta trajtojë urgjentisht me masa vendimtare. Kurti tha të martën se i kishte propozuar një zgjidhje me pesë pika shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Sipas planit përfshihen; Sundimi i ligjit në komunat veriore, për të siguruar që ai të krijohet menjëherë duke identifikuar anëtarët që kanë kontribuar në protestat e dhunshme të 29 majit 2023; Grupet e dhunshme të tërhiqen nga territori i Kosovës; Policia e Kosovës dhe Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë; Qeveria të koordinohet me të gjithë aktorët për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme; dhe Kosova dhe Serbia të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Stano, megjithatë tha të mërkurën se kjo nuk mjaftonte. “Duhet të kalojmë nga menaxhimi i krizës në një proces të qëndrueshëm dhe duhet të rivendoset qetësia në veri të Kosovës”, tha ai. “Ne presim që kryeministri Kurti të ndërmarrë hapa për të shmangur përshkallëzimin e situatës’, shtoi Stano. Ai tha gjithashtu se BE-ja është gati të marrë masa nëse zbulohet se Serbia nuk po respekton rregullat. “Për momentin, Serbia ka nisur tërheqjen e një pjese të forcave të saj nga kufiri me Kosovën”, tha ai. Më 3 qershor, Borrell i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmerrnin veprime për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duke paralajmëruar zbatimin e masave të vendosura. BE-ja i kërkoi Kosovës të pezullonte operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës dhe të zhvillonte zgjedhje të reja në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Protestat në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok filluan një ditë pasi kryetarët e sapozgjedhur të këtyre komunave me shumicë serbe, bënë betimin e tyre pas zgjedhjeve të cilat serbët i bojkotuan masivisht. Protestuesit u kërkuan tre kryetarëve të rinj shqiptarë etnikë që të mos punojnë nga objektet komunale dhe që policia e Kosovës të tërhiqej. Më 29 maj, 30 trupa të NATO-s nga misioni paqeruajtës i KFOR-it, u plagosën gjatë përleshjeve të dhunshme me serbët protestues. Rreth 50 protestues morën gjithashtu ndihmë mjekësore. Që nga fillimi i protestave më 26 maj, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar mbi 20 sulme kundër ekipeve mediatike. atsh
Rritet presioni mbi qeverinë e Albin Kurtit
RELATED ARTICLES