Zyra Evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar për rrezikun e pandemisë së koronavirusit. “Megjithëse Covid-19 nuk është përcaktuar më si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore që nga fillimi i majit, ai vazhdon të ketë ende një ndikim të konsiderueshëm global në shëndet”, tha OBSH-ja. “Virusi ndoshta do ta shoqërojë njerëzimin për vitet në vijim, nëse jo përgjithmonë. Ekziston gjithashtu një rrezik shumë real i varianteve të reja të virusit. Ndërsa urgjenca ndërkombëtare e shëndetit publik mund të ketë përfunduar, pandemia sigurisht që nuk ka përfunduar”, theksoi drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge. OBSH beson se ka ardhur koha për të vënë në veprim mësimet e nxjerra dhe për të pajisur më mirë sistemet shëndetësore për goditjet e ardhshme. Për këtë qëllim, organizata ka nisur një plan tranzicioni për t’i ofruar Evropës aftësitë dhe rrjetet e nevojshme për të identifikuar, verifikuar dhe raportuar me shpejtësi kërcënimet e reja shëndetësore. “Shtetet anëtare duhet të investojnë në mënyrë strategjike dhe të qëndrueshme në gatishmërinë ndaj pandemisë, duke qëndruar vigjilent ndaj kërcënimeve të reja”, thanë ekspertët shëndetësorë, me qendër në Kopenhagë. Sipas organizatës, mbi 270 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus në 53 vendet evropiane dhe të Azisë Qendrore të përfshira në rajonin evropian të OBSH-së. Më shumë se 2.2 milionë njerëz kanë vdekur prej tij që nga janari 2020. Edhe pse numri i shtrimeve në spital dhe i vdekjeve ka rënë ndjeshëm falë imunitetit të rritur të popullsisë, mijëra njerëz vdesin çdo javë. atsh